MEDISON- Ndërkohë që debati për asgjësimin e armëve kimike të regjimit sirian ka përfshirë prej ditësh Shqipërinë, ajo çka del në pah, është mungesa e një impianti, i cili do të mundësonte procesin e shkatërrimit të këtyre armatimeve të rrezikshme.
"A1Report" ka mundur të sigurojë pamjet e impiantit të asgjësimit të armëve kimike në shtetin e Medison në Amerikë në bazën ushtarake "Blu Grass".
Vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke ndërtuar këtë impiant, i cili siç raportojnë mediat amerikane në këtë periudhë ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit, por për të nisur funksionimin ky impiant kërkon 5 deri 6 vite.
Pajimet e këtij impianti i përkasin një teknologjie të lartë, teknologji e cila në brendësi të dhomës ku do të kryhet asgjësimi mbahet sekret për mediat, por inxhineri Jeff Brubaker, i cili shpjegon për gazetarin, tregon se saktësia e këtij impianti, është në kufijtë milimetrikë. Ndërtimi i këtij projekti, bën të ditur inxhinieri, kushton 2 miliardë dollarë, ndërsa ajo çka përflitet në media se mund të përfitojë Shqipëria nëse pranon shkatërrimin e arsenalit sirian, mund të arrijë deri në 200 milionë euro, pra 1 e 10-a e asaj që duhet për të ndërtuar një impiant të tillë, i cili do të mundësonte siguri maksimale gjatë asgjësimit.