Asnjë shqiptar nuk është në pozicione udhëheqëse në Ndërmarrjen Publike "Pyjet e Maqedonisë". Kjo shihet edhe nga faqja zyrtare e kompanisë. Atje ka 13 këshilltarë dhe ndihmës/drejtorë por asnjëri prej tyre nuk është shqiptar. Mirëpo, përveçse në pozicionet drejtuese, i dobët është edhe përfaqësimi i shqiptarëve në këtë ndërmarrje. Situatën e atjeshme e konfirmoi për Alsat M edhe drejtori i ndërmarrjes "Pyjet e Maqedonisë" Zharko Karaxhovski, i cili shtoi se ndërmarrja që ai menaxhon ka vetëm 5 % shqiptarë. Megjithatë, Karaxhovski vuri në dukje arsyen; jo se dikush nuk ka dashur të punësojë pjesëtarë nga komunitetet por për shkak se bëhet fjalë për një fushë specifike ku vështirë gjendeshin kuadrot adekuat, si dhe faktin që qytetarët nuk dëshirojnë të kryejnë punë të vështira fizike. Nga ana tjetër Karaxhovski thotë se me siguri ndërmarrja "Pyjet e Maqedonisë", shkon në drejtim të arritjes së përfaqësimit të barabartë. Ai shton se situata nuk mund të përmirësohet brenda natës, por nevojitet kohë. Nga ana tjetër, pikërisht ndërmarrja "Pyjet e Maqedonisë" ishte ndërmarrja ku u punësuan mbi 1 600 persona të rrezikuar nga pikëpamja sociale, prindër të vetëm, dhe tani duhet të shpërndahen në institucione të tjera. Ndonëse edhe në këto punësime u ruajt parimi i përfaqësimit të barabartë të bashkësive etnike, megjithatë situata në terren tregon se përfaqësimi i shqiptarëve në pjesën më të madhe të institucionet është shumë larg nivelit të kërkuar me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Natasha Stojanovska