Bashkimi Demokratik për Integrim mirëpret takimin midis kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel dhe ndërmjetësit të OKB për çështjen e emrit, Metju Nimic, në Berlin si dhe komunikatën e misionit të përhershëm të Francës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në lidhje me nevojën e zgjidhjes së çështjes së emrit. Duke marrë parasysh se pengesë për këtë proces jetik paraqet moszgjidhja e çështjes së emrit, BDI siç thuhet në komunikatë, mirëpret angazhimin ndërkombëtar për mbylljen e këtij kontesti dhe inkurajon përpjekje edhe më të theksuara për të arritur pajtimin përfundimtar në Ballkanin Perëndimor. "Pajtimi midis vendeve të rajonit dhe integrimi në strukturat e NATO-së dhe Bashkimit Evropian paraqesin të ardhmen e vetme për Ballkanin Perëndimor. Pikërisht këto vende, bashkë me miqtë tjerë nga Evropa dhe SHBA, kanë investuar shumë në paqen, stabilitetin, sigurinë dhe demokracinë në Maqedoni dhe në rajon. Dhe ky investim përmbyllet vetëm me integrimin përfundimtar të vendeve të rajonit në NATO dhe BE. Alsat-M