A1 Report - Vrasja e Dritan Lamajt, Arben Frroku mund të bëhet deputet

2015-08-21 6

I akuzuari për vrasjen e komisarit të Kombinatit, është ekstraduar dje në Rinas, nën masa të rrepta sigurie. Arben Frroku dhe nipi i tij Jak Jaku, të akuzuar si autorë të ekzekutimit të Dritan Lamajt, u kapën 9 muaj më parë, në Selanik dhe dje u sollën para drejtësisë shqiptare.

Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë "blitzi" politik, ku vëllai deputet Mark Frroku të lërë mandatin e ligjvënësit, duke i hapur rrugë sipas ligjit të dytit në listën proporcionale rajonale në qarkun Shkodër, vëllait të tij Arben Frroku.

I cili ka gjithë hapësirën ligjore që të jetë deputeti më i ri i Kuvendit, pasi dhe precedentët ekzistojnë. Rasti i ish-deputetit të Tropojës, Azgan Haklaj i cili u zgjodh deputet nga qelitë e burgut, ku kishte marrë dënimin nga gjykata, e ilustron më së miri mundësinë e hyrjes në Kuvend të demokristianit Arben Frroku.