A1 Report - Rreth 100 kg kripë cianuri tek ish-uzina "Dajti", rrezikohen banorët

2015-08-21 4

Tek ish-uzina "Dajti", që dikur prodhonte vagonat e minierave, ndodhen rreth 100 kg kripë cianuri. Sipas një studimi të PNUD të vitit 2010, ata janë futur në fuçi dhe ndodhen në një dhomë të vogël brenda një magazine rrobash. Sipas punonjësve të kësaj ndërmarrje, ata kanë vite që i bëjnë kërkesë ministrisë së Mjedisit që t'i heqë nga aty, por ende askush nuk ka ndërhyrë. Por mbetjet kimike i gjen kudo në këtë zonë, që sot njihet si tregu i madh i rrobave.
Në ambinentet e ish-uzinës, që prej viteve '90 gjendet një fuçi, e cila është ngjitur me pompën e ujit që përdoret për nevoja të ndryshme në këtë zonë dhe mund të hapet lehtësisht.

Fuçi të tilla, por edhe materiale të tjera të rrezikshme që dikur përdoreshin si lëndë e parë për prodhimin e detergjenteve të rrobave, prodhimin e bojrave të vajit apo grafiteve të ndryshme, mund t'i gjesh fare lehtësisht, pa asnjë masë sigurie, të cilat kanë filluar dhe shpërbëhen nga efektet e kohës.

Për ekspertët e mjedisit është e nevojshme që instancat përgjegjëse duhet të ndërmarrin masa emergjente dhe të bëjnë një pastrim të të gjithë zonës.

Kjo zonë që dikur ka kryer vetëm aktivitet industrial, tashmë është kthyer në një zonë të banuar. Banorët janë kryesisht të ardhur nga veriu i vendit. Ata janë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe kërkojnë që shteti të ndërhyjë në mënyrë urgjente, pasi, sipas tyre, është absurde që kaq pranë qendrës së kryeqytetit ata të jenë të detyruar të thithin ajër me helme.

Free Traffic Exchange