Në zonën zhvillimore teknologjike industriale të Tetovës u hodh sot gurthemeli për përgatitjen e Zonës Ekonomike. Pritet që pas disa vitesh, në të zbresin disa firma norvegjeze që mendohet të investojnë rreth 7 milion euro. Investimet do të jetë të përbashkëta, nga Grupi "NorMak Investment" që ka për obligim thithjen e kompanive, si dhe Qeveria e Maqedonisë e cila do kujdeset për rregullimin e jashtëm të zonës ekonomike të Tetovës.
"Me ndërtimin dhe përgatitjen adekuate të kësaj zone, si dhe me kushtet që do ofrojë ajo, kjo pjesë e Maqedonisë do të bëhet me një hapësirë që do të tërheq një numër të madh investitorësh të interesuar. Në këtë këndvështrim, me rëndësi të veçantë për këtë zonë është afërsisë kufitare me Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë, afërsia me autostradën Gostivar-Tetovë dhe Tetovë-Shkup si dhe afërsinë me hekurudhën. Po ashtu, nuk duhet harruar se në Tetovë janë dy universitetet që ndryshojnë edhe kuadrin arsimor në tërë regjionin. Kjo gjë, me ofertën e kuadrove bëhet një adut plus në rajon për tërheqjen e investime të jashtme dhe na bënë të besojmë se zona do jetë tërheqëse për shumë investitorë", tha Nikolla Gruevski, kryeministër.
Në fillim të këtij viti, ministria e Ekonomisë firmosi marrëveshjen me Grupin "NorMak Investment" i cili përmes partneritetit privato-publik do të udhëheqë investimet për përgatitjen e zonës zhvillimore industriale në Zonën ekonomike të Tetovës.
"Me vendosjen e gurthemelit po fillon të marrë pamjen një projekt kapital që duhet të sjellë zhvillim industrial, mirëqenie ekonomike dhe dobi për të gjithë", u shpreh Valon Saraçini, Ministër i Ekonomisë.
Punimet për përgatitjen e zonës ekonomike pritet të përfundojnë brenda 4 vitesh. Vetëm pas kësaj periudhe pritet zbritja e investitorëve të mundshëm. Bashkim Sulejmani