Zëvendësimi i paraburgimit me arrest shtëpiak për gazetarin Tomisllav Kezharovski është vlerësuar si një hap pozitiv drejt përmirësimit të gjyqësorit në Maqedoni nga ana e shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë. Gazetarët presin shfuqizimin edhe të kësaj mase në një periudhë sa më të afërt që Kezharovski të ketë të drejtën e mbrojtjes në liri. Po ashtu, SHGM-ja pret që Gjykata e Apelit ta shpallë atë të pafajshëm. Sipas SHGM-së, kjo është një mundësi e mirë për gjyqësorin e Maqedonisë që të zbatojë praktikën evropiane të shqyrtimit të rasteve që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes, duke shmangur kështu rrezikun që vendi të dënohet për shkeljen e nenit 10 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut.
"Presim që Gjykata shumë shpejt do ta shfuqizojë masën e arrestit shtëpiak dhe të vendos që Kezharovski të mbrohet në liri. Besojmë se Kezharovski është i pafajshëm dhe presim që Gjykata e Apelit të rrëzojë vendimin e shkallës së parë dhe ta shpallë atë të pafajshëm. Kezharovski me tekstet e botuara nuk ka shkelur ligjin, por ka zbuluar keqpërdorimin e institutit "dëshmitar i mbrojtur". Opinioni ka të drejtë të jetë i informuar për shpërdorimet e institucioneve, gjë që paraqet interes shumë i lartë publik. Kujtojmë se në pajtim me praktikën gjyqësore të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, dënimi me burg kundër një gazetari arsyetohet vetëm në rast të përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së dhunës", thonw nga SHGM.
Edhe këshilli iniciues për lirimin e Kezharovskit ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Shkupi 1 duke paralajmëruar vazhdimin e aktiviteteve deri në lirimin e plotë të tij. Ata shpresojnë që vendimi gjyqësor për Kezharovskin, ai i dënimit të tij me 4 vjet e gjysmë burg, të jetë transparent dhe i qasshëm edhe për opinionin publik.
"Duke pasur parasysh gjendjen shëndetësore të kolegut Kezharovski, këshilli iniciues vlerëson se ky vendim është i mirëpritur edhe pse kjo nuk nënkupton se Kezharovskit i mundësohet që të mbrohet në liri deri në vendimin e plotfuqishëm gjyqësor."
Edhe Sindikata e Mediave e ka vlerësuar si pozitiv këtë vendim, i cili është rezultat i thirrjeve të gazetarëve dhe opinionit ndërkombëtar. Sipas tyre dënimi për Kezharovskin është dënimi më i lartë deri tani që i jepet një gazetari, për veprën e zbulimit të dëshmitarëve të mbrojtur në Evropë. Madje, rasti më drastik për zbulim dëshmitarësh, është i një gazetari kroat, për nxjerrjen e 48 dëshmitarëve, pjesë e një procesi në Hagë, por dënimi i gazetari ishte vetëm 3 muaj burg me kusht. Gjyltene Rexhallari