Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për televizionin boshnjak BHT1, ka thënë se Serbia ka pasur pretendime territoriale ndaj Kosovës, por përpjekjet e saj kanë qenë të pasuksesshme."Tani kemi Marrëveshjen e 19 prillit me Serbinë. Kosova është sovrane dhe e pavarur, me integritet territorial të pranuar ndërkombëtarisht. Askush nuk mund të aspirojë për të ndryshuar kufijtë e rajonit", ka thënë Thaçi. I pyetur nëse Serbia do të jetë e gatshme të pranojë pavarësinë e Kosovës, Thaçi ka thënë se "tash për tash, është e rëndësishme të punohet në normalizimin e marrëdhënieve", ndërsa do t'i vijë koha edhe njohjes. "Tani duhet të mendojmë më shumë për të ardhmen, sesa për të penguar njëri-tjetrin", ka thënë Thaçi, për të shtuar se bisedimet në Bruksel i kanë ndihmuar shumë edhe Kosovës, edhe Serbisë, por edhe paqes e stabilitetit në rajon. Alsat-M