A1 Report - Ekskluzive/ Në Shqipëri ka ende 83 ton armë kimike kineze

2015-08-21 1

TIRANE- Fuçitë që lëvizin ushtarë me maska në repartin ushtarak të Kimisë në Qafë Mollë janë lëndë helmuese kimike. Ndonëse Shqipëria u deklarua më 2007 se i kishte eliminuar, një marrëveshje Imami-OSBE e 2012-ës tregon për të kundërtën.Zbulohet misteri i fuçive, të filmuara nga kamerat e TV A1 Report në repartin ushtarak të Kimisë në zonën prapa malit të Dajtit, pak kilometra larg kryeqytetit. Fjala është për lëndë helmuese kimike, që ndodhen ende në inventarin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Këto substanca po ripaketohen, në përpjekje për t'u larguar nga Qafë Molla, nga një firmë greke, e kontraktuar nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë. Prania e lëndëve të tilla është mbajtur e fshehtë nga opinioni publik, por pranohet hapur në një marrëveshje, të lidhur midis ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami dhe kreut të Pranisë së OSBE-së në Tiranë Eugen Wolfarth, që më 16 prill të vitit të kaluar.

Në marrëveshje thuhet se në Shqipëri ende janë të pranishme 83 ton lëndë kimike të rrezikshme, në inventar të Forcave të Armatosura dhe uzinave ushtarake të kontrolluara nga ministria e Mbrojtjes. Ky dikaster ka kërkuar ndihmë teknike nga OSBE për të eliminuar sasinë në fjalë, duke vënë në dispozicion personelin dhe kapacitetet aktuale demontuese të pranishme në Shqipëri për një gjë të tillë, si dhe duke ofruar lehtësi portuale, çka nënkupton se kimikatet mund të largohen në drejtim të një vendi të huaj në rrugë detare.