Familjarët kishin denoncuar si të zhdukur në det të hapur, në Adriatik, por janë gjetur në Korçë. Historia e cila nisi si tragjedi dhe angazhoi një sërë institucionesh në kërkime mbyllet pas disa orësh.
Edmond Osmënaj, për të cilin bashkëshortja e kishte deklaruar të zhdukur në det të hapur që prej të hënës së 3 nëntorit gjendet në Korçë, bashkë me Gaqo Gjinin, peshkatarin e deklaruar të humbur nga familjarët.
Fillimisht denoncimi për humbjen e kontaktit me familjarët e tyre e dha i vëllai i Gaqo Gjinit. Kastriot Gjini informoi se i vëllai me Edmondin kishin qenë bashkë në det të hapur por më pas kishin humbur kontaktet.
Më vonë Qendra Ndëroperacionale Detare e Durrësit flet vetëm për një denoncim atë të bashkëshortes së Edmond Osmënajt. Sipas këtij denoncimi Osmënaj ishte larguar nga Brindizi drejt Vlorës me një motobarkë të hënën dhe që prej asaj dite kishte humbur kontaktet. Më pas policia e Vlorës thotë se kemi të bëjmë dhe me një denoncim tjetër, atë të humbjes së Gaqo Gjinit, një peshkatar i cili të hënën kishte dalë të peshkonte nga Radhima. Kërkimet e djeshme në det,u njoftuan se në mëngjes ishin ndërprerë pasi ishte moti i keq. Por në orët në vazhdim u mësua se të dy ishin gjetur në Korçë, së bashku.