A1 Report - Deputeti anglez sekser për biznes në Shqipëri

2015-08-21 2

LONDËR - "Të jem krejt i hapur, e njoh kryebashkiakun, e njoh kryeministrin, e njoh kryetarin e Kuvendit". "Nuk loboj, jo, jo. Por përdor rrjetin tim". Këto janë pohimet e një politikani britanik i cili ka rënë në rrjetën e gazetarëve të gazetës "The Telegraph".

Këta të fundit, ishin maskuar si biznesmenë. Ata kanë arritur të marrin prej tij një rrëfim të sinqertë se si ai mund të rregullojë pazaret në Shqipëri. Mark Pritchard është deputet konservator dhe anëtar i komitetit parlamentar të miqësisë me Shqipërinë.

Në një bisedë me gazetarin, që hiqet si një biznesmen i huaj, ai i propozon atij që të investojë 10 milion sterlina në një rrjet hotelesh-butik në Shqipëri. Ai i kërkon "biznesmenit" që të paguhet 3 mijë sterlina në muaj për shërbimin e tij dhe 3 përqind për çdo marrëveshje të arritur.

Kjo do të thotë se ai do siguronte më shumë se 300 mijë sterlina për investimin në Shqipëri. Duke folur për kontaktet e tij, ai thotë: "Të jem krejt i hapur, e njoh kryebashkiakun, e njoh kryeministrin, e njoh kryetarin e Kuvendit". "Nuk loboj, jo, jo. Por përdor rrjetin tim".

Pritchard ka vizituar Tiranën për herë të fundit në vitin 2010, por ai i tha gazetarit se ka kontakte të rregullta me politikanët e lartë, madje i dërgon edhe një mesazh kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të zbuluar se çfarë lloj investimesh kërkojnë autoritetet në Tiranë.