Shtetas të Italisë përmes një personi nga Sellca e Tetovës, janë pajisur me diploma false të fakultetit të mjekësisë të USHT-së. Personi me iniciale M.O. nga Sellca e Tetovës, dyshohet që diplomat ti ketë përgatitur në një punëtori në shtëpinë e tij për një çmim rreth 25.000 euro për diplomë ndërsa ka falsifikuar edhe provime të dhëna para komisionit për stomatologji në Shkup.
"30 vjeçari M.O. nga Sellca e Tetovës dyshohet se ka falsifikuar më shumë diploma për studime të kryera në fakultetin e mjekësisë në emër të shtetasve të huaj. Të njëjtat pasi që i ka përkthyer tek përkthyesit e autorizuar i ka dërguar për noterizim tek noteri. Nga të njëjtat ka arritur të noterizojë gjashtë certifikata ndërsa 16 prej tyre nuk i ka noterizuar noteri sepse ka dyshuar në origjinalitetin e të njëjtave", deklaroi ShefikBajrami, kryeshef i SPB-së, Tetovë.
Pas zbulimit të rastit sektori i punëve të brendshme i Tetovës ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit në të cilën janë gjetur mini punëtoria dokumente të falsifikuara dhe fletore me emra të personave që dyshohet të kenë qenë porositës të diplomave tjera, por të dedikuara për punë në Kroaci.
"Katër fotografi dhe shtatë dokumente të tjera në emër të shtetasve italian të dedikuara për në Republikën e Kroacisë, dy fletore me lista emrash e mbiemrash të kandidatëve potencial ose shfrytëzuesve të ardhshëm për këto lloj diplomash", tha Shefik Bajrami kryeshef I SPB. Tetovë.
Sipas SPB-së së Tetovës, hetimet do zgjerohen edhe në Universitetin shtetëror të Tetovës, për të parë lidhjet eventuale të këtyre falsifikimeve, ndërsa në vijë e sipër, është njoftimi i autoriteteve policore Italiane për rastin në fjalë. Personi i dyshuar është arrestuar nga policia dhe i është dorëzuar gjykatësit për hetime të mëtejshme. Bashkim Sulejmani