GJERMANI - Në Mynih të Gjermanisë janë zbuluar vepra arti me vlerë rreth 1 miliardë euro. Këto vepra ishin sekuestruar nga nazistët në vitet 30' dhe mendohet se ishin shkatërruar gjatë luftës. 1500 punimet nga mjeshtrat e ndryshëm si Picasso, Renoir, Matisse dhe Changall ishin menduar të humbura përgjithmonë kur një aeroplan i forcave Aleate dombardoi Dresden-in në vitin 1945.
Zbulimi pas gati 70 vitesh erdhi pas kontrollit në apartamentin e një burri i cili udhëtonte nga Zvicra dhe që po kthehej me tren në Mynih. Ky burrë ishte Cornelius Gurlitt, djali i Hildebrandt Gurlitt, tregtarit të veprave të artit i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte si detyrë grumbullimin e veprave të artit të quajtura si 'të degjeneruara' nga nazistët.
Cornelius nuk ishte i regjistruar dhe as nuk kishte punuar ndonjëherë sipas autoriteteve gjermane. Ai nuk kishte të ardhura dhe pikërisht ky fakt ngriti dyshimet e hetuesve të cilët më pas bënë këtë zbulim të jashtëzakonshëm. Pikturat i kishin ngelur në trashëgimi nga i ati pas vdekjes dhe Cornelius kishte shitur ndonjë sa për të shtyrë ditët.
Hetuesit nuk kanë identifikuar publikisht këto vepra arti pasi po punojnë për t'ua kthyer familjeve të pronarëve të tyre. Por njëra nga pikturat është Zbutësi i Luanit, i artistit gjerman Max Beckmann. Cornelius e shiti në një ankand për rreth 1 milione euro pak para se koleksioni të sekuestrohej.
Punimet e gjetua ndodhen në doganën bavareze afër Mynihut, ku një historian arti së bashku me një skuadër ekspertësh po mundohen të gjejnë pasardhësit e pronarëve të ligjshëm të veprave të artit.