Në Kosovë sot po zhvillohen zgjedhjet për pushtetin lokal, të parat zgjedhje ku përfshihen edhe komunat veriore të saj të banuara me shumicë serbe. Po votohet në 2 mijë në 38 komunat e Kosovës ndërsa të drejtën e votës mund ta shfrytëzojnë mbi një milion e 700 mijë qytetarë. Në këto zgjedhje konkurrojnë gjithsej 224 kandidatë për kryetarë komunash. Sipas sistemit zgjedhor, këtë post në rrethin e parë e fiton ai që siguron 50 për qind plus një vote. Nëse kjo nuk arrihet organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota. Mbi 7 mijë kandidatë konkurrojnë për vendet e këshilltarëve të kuvendeve komunale. Zgjedhjet e sotme lokale në Kosovë nga drejtuesit e partive politike janë vlerësuar nga si një test evropian dhe si një moment historik për shtetin që fitoi pavarësinë në 17 shkurt të vitit 2008.
"Unë sa përmbusha detyrën time si qytetare. i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë masivisht në këto votime, për të vendosur një standart të ri demokratik për vendin", tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.
"E shfrytëzova të drejtën e qytetarit, votova. I ftoj qytetarët e Prishtinës, qytetarët e Kosovës, të votojnë të gjithë. Me votë mundemi ta ndryshojmë gjendjen tonë për mirë dhe besoj që po e ndryshojmë për mirë dhe po vijnë ditë të mira në Kosovë", deklaroi Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së.
"Shpresoj dhe uroj që i gjithë procesi të shkoj mirë, pra të kemi zgjedhje të lira të ndershme dhe demokratike për shkak se në mandatin e ardhshme duhet të qeverisemi nga njerëz të lirë dhe të ndershëm që kanë legjitimitet demokratik. Nëse çka do, sadopak e ngjashme si në vitin 2010 ngjan atëherë shteti gjithnjë më i dobët i Kosovës, praktikisht e realisht po bëhet shtet i dështuar. Ne që ia duam të mirën Kosovës nuk e duam kurrsesi një gjë të tillë dhe po kujdesemi që të mos ndodh një gjë e tillë", tha Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes.
Zgjedhjet e sotme po mbikëqyren nga më shumë se 30 mijë vëzhgues të vendit dhe ndërkombëtar ndërsa i gjithë procesi po ndihmohet nga Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe. Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar mbi 5 mijë e 500 pjesëtarë të policisë së Kosovës. Alsat-M