Bidona misteriozë në Qafë Mollë, në bazën kimike puna vazhdon

2015-08-21 3

Shqipëria mbetet vendi i parë kandidat për të pritur armët kimike nga Siria, që komuniteti ndërkombëtar ka vendosur të asgjësojë.

Operacioni mund të zhvillohet në bazën ushtarake të Qafë Mollës, pak kilometra larg Tiranës, ku mes viteve 2004 dhe 2007, nën kontrollin e autoriteteve amerikane, Shqipëria, asgjësoi 16 tonë gaz mustard, një armë kimike e tmerrshme, e trashëguar nga ushtria kineze.

Sot A1 Report, mundi të afrohej në bazën e Qafë Mollës, por në vend të strukturës ushtarake pa aktivitet, zbuloi se aty vazhdon grumbullimi i materialeve misterioze që ushtarakë dhe teknikë i lëvizin të mbrojtur me maska dhe tuta antikimike.

Në bazën ushtarake të Qafë Mollës ku nga viti 2004 deri në 2007 janë asgjësuar 16 tonë të mbetjeve nga armët kimike kineze, të vendosura në depozitat ushtarake të Shqipërisë, punohet ende.

Kjo bazë e fshehur mes skarpateve të malit të Dajtit, vetëm pak kilometra nga Tirana, duket se është kandidate për të marrë armët kimike të mbledhura nga regjimi sirian për të cilat komuniteti Europian është angazhuar për ti asgjësuar.