Vlorë, nis aksioni për shembjen e ndërtimeve përgjatë bregdetit

2015-08-21 1

Fadromat e INUK-ut pasditen e sotme kanë shkatërruar një lokal tre katësh, në zonën bredgetare, në Ujin e Ftohtë. Objekti mësohet se është në pronësi të Lad Varfit. Policia e Rendit dhe ajo bashkiake ka mbajtur disa orë të rrethuar objektin dhe zonën pranë objektit që do të prishej.

Brenda dy orësh fadromat kanë hedhur në shesh godinën tre katëshe. Pronari i godinës nuk ka qenë i pranishëm dhe sipas familjarëve ai është jashtë shtetit. Ata kanë deklaruar se, "nuk kanë pasur njoftim më herët për prishjen e godinës, e cila është me leje të rregullt ndërtimi nga bashkia".

Po ashtu, ata kanë shtuar se: "Më parë duhej të ishte bërë njoftimi nga policia ndërtimore apo bashkia, të përcaktohej shuma që duhej kthyer pronarit për dëmin e shkatuar dhe pas firmosjes së procesverbalit të përbashkët të kryhej veprimi i shkatërrimit të objektit".

"Ne nuk kemi pasur mundësi të largojmë as sendet nga godina. Ato tashmë janë shkatërruar së bashku me godinën", shtuan familjarët. Godina e Varfit është shkatërruar edhe njëherë më parë, por më pas çështja shkoi në gjykatë dhe Varfi kishte fituar të drejtën e rindërtimit të godinës. Gjithashtu ai kishte fituar edhe dëmshpërblim në shumën e 560 mijë eurove, që ende nuk i ka marrë.