A1 Report - Kanada, Kryetari i Bashkisë, Rob Ford filmohet duke pirë kokainë

2015-08-21 0

KANADA - Kryetari i Bashkisë së Torontos në Kanada, Rob Ford ka refuzuar të japë dorëheqjen pasi policia deklaroi se ka gjetur një video në të cilën shfaqet kryetari duke tymosur 'crack', një nënprodukt i kokainës i cili pasi ekspozohet në nxehtësi të lartë shndërrohet në tym.
Policia nuk ka kaluar në detaje të përmbajtjes së videos të xhiruar me celular, por thotë se i përputhet përshkrimit që i është bërë nëpër media.
Video fillimisht doli në dritë kur një gazetar raportoi se e kishte parë vetë regjistrimin. Ai shtoi se deri më sot, ajo nuk është bërë publike.
Shefi i policisë së Toronto-s, Bill Blair tha për mediat se ata arritën të rekuperonin videon nga një hard drive i një kompjuteri. Ajo përmbante imazhe të cilat ishin raportuar edhe më parë në shtyp.
Por deri më tani, policia nuk ka hapur një dosje kriminale për kryebashkiakun Ford në lidhje me këtë video.
Gjatë muajit maj, gazeta 'Toronto Star', raportoi se disa shpërndarës droge ishin munduar t'u shisnin videon e cila fillimisht u pa nga 2 prej gazetarëve të saj. Por, në fund vendosën të mos pranonin ofertën.