Mediat: Shqipëria do asgjësojë lëndët kimike të Assad-it

2015-08-21 0

Ka shumë gjasa që Shqipëria të pranojë kërkesën e OKB-së për të shkatërruar arsenalin e armëve kimike të Sirisë. Kështu raportojnë mediat amerikane duke iu referuar zyrtarëve amerikanë, të cilët po përpiqen të bindin autoritetet shqiptare të pranojë këtë detyrë pas vendimit të Norvegjisë, e cila javën e kaluar refuzoi të pranonte armët kimike të regjimit të Bashar al Assad. "Cili apo cilët shtete do të pranojnë të marrin përsipër një gjë të tillë është më shumë në funksion të parave apo të vullnetit për të marrë pjesë"-deklaroi Paul Walker, drejtor i sigurisë në Green Cross International.

Siç raporton gazeta "National Journal" bazuar në diskutimet e tij me zyrtarët e qeverisë amerikane, Walker tha se Shqipëria, Belgjika dhe Franca duket të jenë tre opsionet më të mundshme. Sipas tij, Washingtoni i ka kërkuar të gjithë aleatëve të tij të Europës Perëndimore të pranojnë arsenalin sirian të armëve kimike për t'i shkatërruar. Në intervista të tjera ekspertë të çarmatimit dhe zyrtarë të ndryshëm kanë përmendur disa kombinime të mundshme vendesh ku disa kanë shtuar edhe Suedinë me Danimarkën, por Shqipëria dhe Belgjika përsëriten nga të gjithë si kandidatet më të mundshme.