Asociacioni i televizioneve private kombëtare kërkon nga Gjykata kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërinë e Ligjit për veprimtari filmike. Shkak për këtë kërkesë është pasi ky ligj do jetë edhe një tjetër goditje ndaj mediave që tashmë janë të brishta, thonë edhe nga Shoqata e mediave elektronike private në Maqedoni . Me këtë ligj i cili duhet të hyjë në fuqi nga 1 janari vitin e ardhshëm , 1.1 për qind e të ardhurave bruto të televizionit në vit do të shkojnë në agjencinë për filmin, që duhet të formohet në vend të Fondit të Filmit që funksiononte deri tani. Nëse kësaj i shtohen edhe përqindjet që mediat i paguajnë për të drejtën e autorit, sipas ndryshimeve të fundit të Ligjit për të drejta të autorit dhe të përafërta,situata bëhet edhe më alarmante , thonë nga Shoqata e mediave private .
"Ka një vit që paralajmërojmë për dëmin që do të shkaktohet me zhvillimet e fundit në sferën e mediave në Maqedoni. Me dy shoqatat për pagesë të të drejtave të autorit, dhe tani me shtesën për Agjencinë për film, që do duhet ta ndajnë mediat për të njëjtën, është 5 deri në 6, e ndoshta edhe më shumë për qind e të ardhurave bruto. Cila kompani mund të mbijetojë në treg pa 8 për qind të të ardhurave vjetore . Mediat paguajnë punëtorë, kontribute , blihet pajisje, paguhen tatime. Këto janë shumë para, investohet, dhe shpesh viti mund të përfundojë në minus, ndërsa tani edhe 8 për qind e të ardhurave të përgjithshme duhet të paguhen për këtë qëllim, " paralajmëruan nga Shoqata e mediave private.
Me ligjin janë goditur edhe operatorët kabllor, të cilët do të duhet të ndajnë 2.5 për qind të të ardhurave totale. Drejtori teknik i "Telekabel" Zoran Iliev thotë se ligji është joreal dhe se gjatë miratimit të ligjeve të tilla duhet të konsultohen edhe ata të cilët janë të prekur. Ata nuk janë konsultuar dhe Ligji është miratuar pa debat . Subjektet që ofrojnë vetëm shërbimin e internetit sipas Ligjit do të duhet të paguajnë 2.5 për qind, ndërsa personat juridikë që japin filma në kinema do ndajnë 5 për qind. Nga Telekomi maqedonas thonë se ata nuk ishin të informuar në lidhje me këtë ligj dhe do ta komentojnë pasi ta shqyrtojnë. Kompanitë që kryejnë distribuim,dhënie me qira ose shitje të filmave do të duhet të paguajnë 3 për qind, ndërsa ato që organizojnë lojëra fati ose lojëra argëtuese do të duhet të paguajnë 1.3 për qind të të ardhurave. Nga ministria e Kulturës , thonë se ligji është miratuar me procedurë të përcaktuar publike, me seancë të komisionit si dhe janë konsultuar ekspertë, ndërsa për debatin ka pas thirrje të hapura për pjesëmarrje. Bojana Simonoviq