Opozita: Ndalesa e Subrata Roj, konfirmon dyshimet

2015-08-21 0

Vendimi i gjykatës indiane që i pengon Subrata Roj të lërë shtetin, për opozitën në Maqedoni thjesht vërteton dyshimet dhe spekulimet për investimin e tij në vend. Sipas opozitës, implikimi i pushtetit me një investitor të tillë cenon imazhin e vendit para investitorëve të tjetër të huaj.

"Ky vendim vërteton dyshimet dhe spekulimet nëse Subrata Roj do të mund t'i realizojë projektet në Maqedoni dhe se sa paraqitja e tij si investitor kryesor në Maqedoni, dëmton imazhin e vendit tonë para investitorëve tjerë të huaj.... duke pas parasysh se vendimi i gjykatës në Indi nënkupton se edhe vetë drejtësia indiane ka dyshime ndaj tij, nëse është i aftë t'i kthej parat e qytetarëve që ka mashtruar", u shpreh Marjanço Nikollov, LSDM.

"Mesazhi që iu dërgojmë investitorëve të huaj është i përhershëm dhe jo vetëm në këtë rast, por edhe udhëtimi i qeverisë është i tillë. Bëhet fjalë për një politikë joserioze për tërheqjen e investimeve të huaja, pasi një investitor me emër ka promotor dhe hulumtues të tregut dhe mundësive në Maqedoni. Vetëm persona të tillë si Subrata mund të vijnë në Maqedoni dhe të bëjnë festival", tha Ivon Veliçkovski, PL.

"Mendoj se mesazhi është negativ edhe për investitorët e tjerë që janë të interesuar të investojnë në Maqedoni. Ata njerëz, me siguri prej sot do të mendojnë shumë mirë para se të marrin ndonjë hap për të investuar në këtë shtet", deklaroi Naxhi Xhelili, RDK.

Por megjithë reagimet e opozitës, qeveria thekson se projektet e "Sahara Group" nuk rrezikohen.

"Për ne, është me rëndësi që gjithçka shkon sipas planifikimeve, në pjesën e realizimit të projekteve që "Sahara Group" ka në Maqedoni, në pjesën e Xhumajlisë ku kanë blerë tokë e ku tashmë po zhvillohen aktivitete investuese. Atje ka afate të caktuara se kur duhet të kryhen. Gjithçka shkon sipas planifikimit. Pjesa tjetër është çështje e Indisë, e institucioneve të Indisë dhe ata do ta zgjidhin në suaza të sistemit ë tyre juridik", deklaroi Zoran Stavrevski ministër i financave.

Gjykata në Indi ka urdhëruar kompanitë e Subrata Rojit që t'i dorëzojnë trupit rregullator, tapitë e pronës së tij me vlerë prej 4 miliard dollarë në afat prej tre javësh. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë Subrata Roj nuk mund të largohet nga shteti, pa leje. Gjyltene Rexhallari