Houit kërkon dialog të mirëfilltë politik

2015-08-21 0

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian Riçard Houit vazhdon inspektimin e situatës politike në vend, përfshi rastin e burgosjes së gazetarit Tomisllav Kezharovski. Takimin e parë Houit e zhvilloi sot me liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev, për të vazhduar me takime të veçanta me zv/kryeministrin për Çështje Evropiane Fatmir Besimi dhe përfaqësues të Shoqatës së Gazetarëve, për të dëgjuar këndvështrimet respektive të tyre, mbi situatën politike, atë të mediave, e deri konkretisht mbi rastin Kezharovski. Houit iu bëri thirrje të gjitha forcave politike në vend që të përforcojnë dialogun politik dhe shprehu nevojën për arritjen e rezultateve të menjëhershme nga puna e komisionit hetimor me qëllim që Maqedonia në dhjetor, të ketë një dosje të pastruar përpara shteteve anëtare nga të cilët pret dritë jeshile për datën e negociatave.

"Ne diskutuam rreth vështirësive në politikën e brendshme të cilat duhet të kapërcehen në interes të marrjes së një vendimi pozitiv në dhjetor, në mënyrë që shtetit tuaj t'i akordohet procesi i pranimit... Dialogu politik, i tillë që të ndërtojë konsensus në mënyrë që synimi i vendit për të ardhmen evropiane të jetë i sigurt, mbetet akoma një prioritet absolut dhe që përfshin gjithashtu vazhdimin e menjëhershëm të punës së komisionit hetimor që shpresojmë të dëshmojë rezultate në fund të tij", tha Riçard Houit, raportuesi i Maqedonisë në PE.

Houit, i cili një ditë më parë iu shprehu deputetëve shqetësimin për dënimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski, duke aluduar madje edhe për drejtësi selektive nga gjyqësori, sot shmangi komentet rreth kësaj çështjeje. Ai tha se po zhvillon takime intensive me të gjitha palët dhe se vlerësimet e tij mbi të, do t'i bëjë në konferencën e nesërme për media.

"Unë do të mbaj një konferencë për median nesër, ku thash se do të deklaroj më shumë për sa i përket lirisë së mediave përfshi dhe atë rast. Sot po dëgjoj një numër të madh njerëzish, institucionesh lidhur me këtë çështje por nesër do të kem më shumë për të thënë", u shpreh Riçard Houit, raportuesi i Maqedonisë në PE.

Ndërkohë, në komunikatën e Shoqatës së Gazetarëve thuhet se "në takim u konstatua se rasti i Kezharovskit ndikon negativisht ndaj lirisë së shprehjes dhe rëndon përpjekjet e raportuesit Houit për të bindur anëtarët e BE-së se Maqedonia është e përgatitur të nisë bisedimet për anëtarësim". Përveç kërkesës që si zgjidhje e përkohshme, Kezharovskit t'iu mundësohet mbrojtja në liri deri në përfundimin e procedurës gjyqësore, SHGM-ja para raportuesit ka ngritur edhe çështjen e ligjeve të medias. Nga SHGM-ja vlerësojnë se zgjidhje më e mirë është që qeveria t'i tërheq ligjet, për të inkorporuar vërejtjet e Komisionit Evropian në to, siç janë shqetësimi për pavarësinë e trupit rregullator, shërbimit publik, reklamave të qeverisë dhe auto-censurës në media. Semra Jakupi