Bexheti hesht, Memeti: kushte të rënda në paraburgim

2015-08-21 1

Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti vazhdon të heshtë lidhur me kërkesën e SHGM-së dhe apelin e kryetarit të tij Ali Ahmeti për shqyrtimin e faljes së gazetarit Tomisllav Kezharovski. Agjenda e ngjeshur e ministrit ka qenë sërish justifikimi nga kabineti i tij për shmangien e interesit të gazetarëve. Ndërkohë edhe Avokati i Popullit Ixhet Memeti refuzoi të informojë për kushtet në të cilat vuan dënimin gazetari Tomisllav Kezharovski. Të dhënat nga kontrolli i djeshëm i ekspertëve nga kabineti i tij në qelinë e Kezharovskit do t'i transmetohen familjes së gazetarit dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, ndërsa Memeti nuk e pa të arsyeshme të informonte edhe opinionin publik. Memeti tha se është bërë inspektim gjeneral i hapësirave të paraburgimit ku janë ri-konstatuar kushtet e rënda në të cilat qëndrojnë të paraburgosurit. Megjithatë ai nuk specifikoi për çfarë kushtesh të rënda bëhet fjalë, dhe nuk i konfirmoi e as mohoi ankesat e familjes se Kezharovski po mbahet në kushte çnjerëzore, në baltë dhe lagështi.

"Konstatuam se kushtet janë nën nivelin e standardeve të nevojshme për mbajtjen e paraburgimit. Është biseduar me atë në çdo aspekt, kur them në çdo aspekt kam ndërmend kushtet, trajtimin e tij, shfrytëzimin e të drejtave që atij i takojnë etj. Në anën tjetër është biseduar edhe me udhëheqësinë e burgut dhe të gjithë sektorët, përfshi këtu edhe sektorin e shëndetësisë. Ne dje kemi dhënë disa këshilla dhe sugjerime, të cilat besoj se do të realizohen nga udhëheqësia e burgut", u shpreh Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Avokatin e Popullit e shqetëson rritja enorme e numrit të personave në paraburgim, gjë që shkakton mbipopullimin e burgjeve, sidomos sektorit të paraburgimit, e si pasojë edhe vështirësimin më tej të kushteve për të paraburgosurit. Memeti madje apeloi institucionet që të mos caktojnë masë paraburgimi për të pandehurit, nëse ka mundësi të tjera sigurime ndaj tyre.

"Vitet e fundit në Maqedoni, numri i personave të cilëve u caktohet masa e paraburgimit rritet në mënyrë enorme, gjë që shkakton mbipopullimin e burgjeve, bile mbipopullim në pjesën e paraburgimit e që si pasojë e kësaj vjen deri te mosrealizimi kualitativ e të drejtave të personave të cilët gjenden në paraburgim. Shfrytëzoj rastin të apeloj organet kompetente që nëse të pandehurit mund të sigurohen në ndonjë formë tjetër, të mos shqiptohet masa e paraburgimit", tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Në procesin gjyqësor kundër gazetarit Kezharovski, familja dhe avokati mbrojtës kishin kërkuar nga gjykata që gazetari të mbrohet në liri, dhe paraburgimi të mos shndërrohet në dënim për të. Megjithë garancinë pronësore të ofruar, gjykata refuzoi kërkesën e familjes, dhe vazhdon të mbajë në paraburgim gazetarin e dënuar me vendim të instancës së parë gjyqësore. Benjamin Arifi