Asociacioni i mediave shqyrton Ligjin për veprimtari filmike

2015-08-21 1

Asociacioni i mediave, ofruesit e paketave dixhitale në vend, T-Home dhe ONE si dhe operatori kabllovik Blizoo po shqyrtojnë Ligjin e ri për veprimtari filmike që do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm. Përmes ligjit, synohet të mbushet buxheti i Fondit të Filmit, madje me të ardhurat nga programet televizive në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal si dhe fonde që do të thithen edhe nga operatorët kabllorë dhe personat e tjerë juridikë. Nga T-Home, ONE dhe Blizoo thonë se do të shqyrtojnë ligjin në fjalë dhe gjatë ditëve në vijim do të dalin me qëndrim.

Kujtojmë se Ligji i ri për veprimtari filmike parashikon që 1,1 % e të ardhurave të përgjithshme të televizioneve, të derdhen në Fondin e Filmit.



Sipas ligjit për kompensim do të merren:



- 1,1% e të ardhurave nga shërbimet programore televizive në nivel kombëtar,

- 1,1% e të ardhurave nga shërbimet programore televizive në nivel rajonal,

- 1,1% e të ardhurave nga shërbimet programore televizive në nivel lokal,

- 2,5% e të ardhurave të operatorëve kabllorë që ushtrojnë ritransmetim të programeve televizive,

- 2,5% e të ardhurave të subjekteve që sigurojnë vetëm shërbime interneti,

- 5% e të ardhurave të personave juridikë që ushtrojnë veprimtari transmetimi filmash në kinema,

- 3% e të ardhurave të personave juridikë që ushtrojnë veprimtari shpërndarjeje, huazim ose shitje filmash,

- 1,3% e të ardhurave të personave juridikë që ushtrojnë veprimtarinë e organizimit të lojërave të fatit dhe lojërave argëtuese.



Nga Ministria e Kulturës një ditë më parë thanë se ligji në fjalë është miratuar me procedurën e rregullt parlamentare, seanca në komisione, ndërsa për përmbajtjen e tij është konsultuar opinioni profesional të cilët kanë qenë të ftuar si pjesëmarrës në debatin publik. Ndërsa nga njëra anë, do të merren paratë nga mediat, nga ana tjetër, shteti do t'u jap subvencione prej 50 % televizioneve kombëtare për transmetim të programit vendor artistik dhe me dokumentarë. Kjo do të zbatohet në kuadër të Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike i cili është në procedurë për miratim. Valmir Kuçi