Raportuesi për Maqedoninë në PE, Riçard Houit shprehu shqetësimin për dënimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski duke aluduar madje edhe për drejtësi selektive nga gjyqësori i Maqedonisë. Ai theksoi se 3 ditët e vizitës së tij në Shkup do t'i përdor për bisedime intensive me palë të ndryshme, për të dëgjuar dhe shkëmbyer ide mbi gjithë procesin, për të kuptuar shkaqet që çuan në verdiktin ndaj Kezharovskit, përpara se ta dokumentoj gjithë këtë ngjarje para Parlamentit Europian. Houit tha se shtetet anëtare të BE-së janë tepër të shqetësuara mbi ngjarjet e fundit si në politikë ashtu edhe në media. Apeli i tij, ishte kthimi domosdoshmërish i besimit mes pushtetit dhe medias.
"Është e drejtë për mua t'ju them se kjo çështje është shqetësuese deri në nivel të lartë, mes shumë kolegëve apo vendeve në Bruksel, veçanërisht liria e mediave në këtë vend. Ne padyshim kemi ndjekur nga shumë afër debatet mbi ligjet e mediave, rastin Kezharovski, dhe bisedime që mbeten akoma të ndërprera në tryezën e rrumbullakët mes Qeverisë dhe Shoqatës së Gazetarëve... Shpresoj se njerëzit do të flasin hapur mbi këto çështje, gjatë takimeve, edhe pse disa pretendojnë për çështje selektive. Mohoj të komentoj mbi rastet e Kezharovskit dhe Shipoviqit ne respektojnë pavarësinë e gjyqësorit, më duhet të ruaj këtë pozicion. Por fakti që këto çështje janë bërë kaq të bujshme dhe marrin shumë komente kritikuese, jo vetëm nga përfaqësuesit maqedonas por edhe organizatat ndërkombëtare për raste të tilla, krijojnë përshtypjen, të paktën kështu mund të them unë, se ka ndodhur një proces selektiv i drejtësisë në këtë vend", deklaroi Riçard Houit, Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë vazhdon të këmbëngul gjithashtu mbi kolegun Kezharovski. Kreu i SHGM-së Naser Selmani theksoi se nëse ky gabim nuk përmirësohet, atëherë të paktën, të merret parasysh kërkesa për faljen e gazetarit Kezharovski.
"Në raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë në pjesën e gjykatave, thuhet se ka pretendime për drejtësi selektive, presion politik indirekt dhe se drejtësia nuk duhet të zbatohet por edhe të shihet dhe se ka dyshime serioze rreth pavarësisë së gjyqësorit në Maqedoni. A është kjo gjyqësia e pavarur që e gjykoi Kezharovskin ndërsa tani askush nuk mund të ndërhyje dhe ta përmirësojë dëmin..Dua të ju inkurajoj të gjithëve të ndiqni rastin dhe nëse pushteti gjyqësor dhe ai ekzekutiv nuk gjejnë mënyrë për ta përmirësuar gabimin atëherë të mendoni edhe për amnistinë e kolegut tonë!", deklaroi Naser Selmani, Kryetar i SHGM-së.
Ndërkaq, anëtari nga radhët e partisë në pushtet të Këshillit për Euro-Integrime Antonio Milloshovski theksoi se parlamenti nuk ka asnjë të drejtë të bëhet gjykatës i kësaj çështjeje.
"Mungesat në sistemin gjyqësor ne nuk na jep të drejtë që parlamentin ta shndërrojmë në gjykatë! Parlamenti nuk duhet të jetë gjykatë administrativë, gjykatë penale apo gjykatë politike. Ne kemi obligim sipas kompetencave të japim llogari dhe ...