Marrëdhënie politike janë të mira, por Maqedonia dhe Kroacia duhet ta përforcojnë bashkëpunimin ekonomik. Kjo u konstatua në takimet e sotme që ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini i zhvilloi në Zagreb me ministrat ekonomikë në Qeverinë kroate. Hapi i parë do të jetë harmonizim i detajeve të marrëveshjes me të cilën duhet të tejkalohen problemet e ndërmarrjeve kroate të cilat u shkaktuan pas daljes së vendit nga CEFTA.
"Janë prezantuar mundësit për investime në pothuajse të gjitha sferat, duke filluar në sferën e energjetikes, turizmit, bujqësisë, por edhe në sferën e mineraleve. Ka shumë kompani të interesuara për të investuar në Republikën e Maqedonisë, mirëpo një gjë tjetër e cila duhet potencuar dhe është në favor të kompanive tona, respektivisht të kompanive në RM, është se ne sot kemi bërë një marrëveshje bilaterale që të nënshkruhet aneksi i marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik në mes Maqedonisë dhe Kroacisë me qëllim që të eliminohen të gjitha barrierat të cilat i hasin kompanitë tona, gjatë rrugës së tyre kur bëjnë eskoporte në Kroaci", tha Valon Saraçini, Ministër i Ekonomisë.
Ministrat gjatë takimeve kontraktuan edhe një forum biznesi që do të mbahet në Shkup.
"U morëm vesh që në gjysmën e dytë të muajit të 11-të organizojmë një forum ekonomik në Shkup, ku fabrikat kroate të cilat sot punojnë në Maqedoni, e që punësojnë qindra njerëz, do të paraqesin potencialet dhe dëshirat e veta, zgjerimet potenciale, si të paraqiten në tregjet fqinje të Maqedonisë, si atë të Shqipërisë, Greqisë, Serbisë, Kosovës, Bullgarisë", u shpreh Ivan Vrdoljak, Ministëri i Ekonomisë, Kroaci.
Lidhur me shkëmbimin tregtar me Maqedoninë, Kroacia është në vendin e 12-të. Për shtatë muaj, shkëmbimi tregtar arrin 160 milionë dollarë dhe nuk ka dallime të mëdha ndërmjet importit dhe eksportit. Pikërisht kjo është arsyeja për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, bënë të ditur ministrat. Nga Zagrebi për TV Alsat-M, Natasha Stojanovska.