Memeti nuk viziton Kezharovskin, Qeveria hesht!

2015-08-21 1

Një delegacion nga institucioni i Avokatit të Popullit vizitoi sot burgun e Shutkës për të parë nga afër kushtet në të cilat qëndron gazetari Tomisllav Kezharovski. Edhe pse kishte paralajmëruar, në këtë delegacion mungoi vetë Avokati i Popullit Ixhet Memeti. Nga kabineti i tij thanë se institucioni i Avokatit të Popullit ka vizituar burgun dhe pjesën ku vuhet paraburgimi. Vizita, sipas tyre, ka qenë në cilësinë e Mbrojtësit të Lirive të Njeriut dhe në cilësinë e Mekanizmit Parandalues. Ata ri-konstatuan gjendjen e rëndë të burgjeve në Maqedoni, të cilën e patën alarmuar disa herë në raportet e tyre vjetore të mëparshme. Vizita e delegacionit të Avokatit të Popullit vjen pas kërkesës së SHGM-së dhe familjes së gazetarit Kezharovski, të cilët u ankuan se paraburgimi është shndërruar në dënim për gazetarin, për shkak të kushteve mizore në të cilat është detyruar ai të qëndrojë deri në hyrjen në fuqi të aktvendimit të Gjykatës. Ndërkohë edhe sot ka vazhduar heshtja në Qeveri dhe injorimi ndaj gazetarëve. Askush nga Qeveria Gruevski nuk komenton iniciativën e SHGM-së që procedura për faljen e gazetarit Kezharovski të vihet në rend dite në seancën e radhës të Qeverisë. Heshtje edhe në Ministrinë e Drejtësisë pas apelit të liderit të BDI-së Ali Ahmeti për ministrin e tij Bexheti, për të shqyrtuar kërkesën e SHGM-së për falje të Kezharovskit. Megjithatë nga Ministria e Drejtësisë thonë se gjatë ditës së nesërme do të prononcohen lidhur me këtë çështje. Aktvendimi i Gjykatës Themelore "Shkupi 1" për dënimin me 4 vjet e gjysmë burg të gazetarit Kezharovski gjendet në shkallën e dytë, në Gjykatën e Apelit, e cila do të jep verdiktin final për ligjshmërinë e aktvendimit. Kezharovski është gazetari i dytë në Evropë i cili dënohet për zbulim identiteti të dëshmitarit të mbrojtur, pasi praktika Evropiane njeh vetëm një rast të tillë, madje dënimin prej 3 muajsh heqje lirie për zbulimin e identitetit të 48 dëshmitarëve të mbrojtur nga një gazetar kroat. Benjamin Arifi