Selmani: Shteti nuk lejon publikimin e "të palarave"

2015-08-21 1

Kryetari i SHGM-së Naser Selmani vlerëson se pushteti përpiqet me çdo kusht të kontrollojë mediat me qëllim që të mos lejojë daljen në shesh të keqpërdorimeve që bën. Duke komentuar zhvillimet e fundit në vend me burgosjen e gazetarit Kezharovski, në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, Selmani thotë se qasja e qeverisë në fakt paraqet kambanë alarmi për të gjithë gazetarët që nëse publikojnë të 'zezat' e pushtetit do të përfundojnë në burg.

"Porosia është e qartë! Çdo gazetar që do të përpiqet të investigojë ndonjë keqpërdorim të pushtetit dhe ta publikojë atë, do të sanksionohet dhe do të përfundojë në burg. Mendoj se një mesazh më të tmerrshëm se ky, nuk mund të ketë. Mendoj se rasti i kolegut Kezharovski është shembulli tipik i mosfunksionimit të pushtetit gjyqësor", tha Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

Madje sipas Selmanit përmes territ mediatik qeveria jo vetëm që përpiqet të pasqyrojë një imazh rozë për Maqedoninë, por dëshiron të fshehë edhe kontrollin e saj ndaj gjithë pushteteve të tjera.

"Unë mendoj se kjo qeveri i kontrollon të gjitha pushtetet, kontrollon pushtetin ligjvënës, kontrollon mediat, kontrollon gjyqësorin, kontrollon bizneset, praktikisht kontrollon gjithçka... dhe në një situatë të tillë kur pushtetet mes tyre nuk mund të kontrollohet, atëherë merr fund edhe funksionimi i demokracisë dhe vendoset një sistem hibrid i demokracisë i cili quhet autoritarizëm. Mendoj se pikërisht kjo po ndodh në Maqedoni", u shpreh Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

Në një situatë të tillë, Selmani thotë se shanset janë të vogla që qeveria dhe SHGM-ja të ulen sërish në tryezën e bisedimeve. Selmani thotë se fajtori kryesor për mosbesimin e krijuar tashmë mes palëve është vetëm qeveria, dhe nëse ajo dëshiron me të vërtetë dhe jo vetëm në mënyrë deklarative të ringjallë dialogun, do i duhet më parë që të korrigjojë veprimet saj. Megjithatë demonstrimi i forcës në protestën e gazetarëve, burgosja e Kezharovskit, tregojnë se qeveria po ecën në drejtim të kundërt, thekson Selmani. Semra Jakupi

Free Traffic Exchange