Zyberi: Gruevski dëshiron zgjedhje të parakohshme për 62 mandate

2015-08-21 0

Kriza politike që kishte filluar me Komisionin Anketues për ngjarjen e 24 dhjetorit, vazhdoi me arrestimin e Shipoviqit dhe po kulmon me kërkesën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, mund të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Analisti Naser Zyberi thotë se kjo atmosferë e krizës politike është vetëm iluzion i krijuar për sigurimin e alibisë për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale në mars të vitit 2014.

"Ngjarjet e fundit që po kulminojnë me krizën në Parlament, që i parapriu paraburgosja e kryetarit të Komunës Qendër Shipoviq, fjalimet patriotike të Gruevskit në Bruksel dhe vende të tjera, bllokimi i punës së KSHZ-së dhe dorëheqja e kryetarit të saj, mos azhurimi i listës zgjedhore, të gjitha këto në njëfarë mënyre e tensionojnë atmosferën që paraqesin një uvertirë për të krijuar disponim të qytetarët se Maqedonia ka nevojë të dalë nga kjo krizë dhe se instrumenti i vetëm për të dalë nga kriza janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare", tha Naser Zyberi, analist.

Sipas tij, edhe pse VMRO DPMNE-ja dëshiron zgjedhje parlamentare për të siguruar shumicë parlamentare me 62 deputetë, një gjë e tillë si duket nuk do të realizohet pasi partitë shqiptare janë shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

"Se a do të ndodh kjo është çështje që duhet të pritet dhe kryesisht do të varet nga BDI-ja dhe eventualisht nga PDSH, të cilat sipas deklarimeve të deritashme thonë se Maqedonia nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, që është realitet i pamohueshëm, dhe prandaj nëse Gruevski mbetet i vetëm në atë qëndrim, atëherë unë nuk besoj se mund të bëhet diçka më tepër sepse nuk ka 62 deputetë të shpërndajë parlamentin", u shpreh Naser Zyberi, analist.

Sipas Zyberit, as partia e Zoran Zaevit nuk do të pranojë zgjedhje parlamentare në vitin 2014, për shkak të pozitës së saj të pa konsoliduar pas kongresit të saj dhe zgjedhjen e Zaevit për kryetar të ri të partisë. LSDM-ja sipas tij, do të vazhdojë të përdorë si arsyetim ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe pastrimin e listës zgjedhore për ti ikur përballjes në zgjedhje. Benjamin Arifi

Free Traffic Exchange