Në prag të Kongresit të tretë në nëntor, me rizgjedhjen e Beqir Asanit për kryetar dege në Çair, ka filluar zgjedhja e organeve lokale në parti, këshillave të degëve dhe kryetarëve të tyre. Asani ishte kandidat i vetëm për kryetar të kësaj dege, ndërsa mandatin e fitoi pa asnjë votë kundër, gjegjësisht 69 pro, edhe pse votimi me kërkesë të kryetarit të partisë Ali Ahmeti ishte i fshehtë.
Përveç kryetarit, u zgjodh edhe Kryesia e Përgjithshme e Degës së Çairit, në përbërje prej 17 anëtarëve. Kryesia e Përgjithshme, sipas statutit të BDI-së, zgjidhet me propozime nga këshillat vendore. 3 nga Këshillat vendorë të BDI-së kishin propozuar nga një kandidat më tepër se sa ju takon, gjë që detyroi degën të hedh në votim kandidatët e propozuar. Në votimin e fshehtë, specifike ishte që Artan Grubi, shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së nuk arriti të marrë votat e nevojshme për anëtarë. Mes anëtarëve të kryesisë së përgjithshme të degës së Çairit nuk janë as Bujar Osmani e as Ermira Mehmeti, e cila siç mësojmë ka edhe një shans, pasi është propozuar si kandidate për kryetare të degës së Butelit, ku si kundërkandidat ka kryetarin aktual Halil Palloshin.
"Sigurisht që garat brenda këshillave vendorë, brenda degëve janë të lejueshme dhe të pëlqyeshme, sepse kështu zhvillohet demokracia, kështu përgatiten kuadrot, nuk ka asgjë për tu shqetësuar", tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Zgjedhjet e brendshme në BDI do të vazhdojnë edhe në degët e tjera si në qytetin e Shkupit poashtu edhe në qytetet tjera . Ndryshe në bazë të statutit të BDI-së parashihet edhe formimi i bashkimit të degëve të Shkupit, gjë që nuk ka ndodhur deri tani, për shkak të mospajtimeve të brendshme nëse duhet apo jo te ketë një organ të këtillë dhe kush do ta përbente të njëjtin. Fillimisht është menduar që në të të marinë pjesë vetëm degën e komunave urbane të qytetit, duke lënë kështu anash dy degë të mëdha të rrethinës së Shkupit siç janë Studeniçani dhe Haraçina. Ndryshe, në nëntor BDI-ja do të mbajë Kongresin e tretë të përgjithshëm, ku përveç disa modifikimeve, mund të ketë edhe ndryshime në strukturën qendrore të partisë. Benjamin Arifi