Qeveria shqiptare ka ngritur një grup pune për të negociuar me kompaninë CEZ për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar gjatë ditës së sotme dhe të drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Grupi i punës do të drejtohet nga ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri dhe do të ketë përfaqësues nga institucione të ndryshme të shtetit.
VENDIME E MARRA SOT NGA QEVERIA
Për ngritjen e grupit të punës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a.s. Vendimi ka si qëllim ngritjen e grupit të punës të kryesuar nga ministri i Energjisë dhe Industrisë dhe me përbërje përfaqësues të kryeministrisë, të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Avokaturës së Shtetit për negocimin me CEZ, a.s. për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të lindura me shtetin shqiptar.
Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, "Për listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit", të ndryshuar.
Vendimi propozon miratimin e ndryshimeve në listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit, në kuadër të kontrollit dhe përditësimit që i është bërë listës së shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, nga data 20.5.2013 deri në datën 25.9.2013.