Pas më shumë se 11 orësh debate, Kuvendi miratoi sot në mbrëmje aktin normativ për rishikimin e buxhetit 2013. Buxheti i 2013 u votua votat e mazhorancës, të cilave i janë bashkuar edhe dy vota të deputetëve të opozitës. Bëhet fjalë për aktin normativ nr. 6, datë 4.10.2013 "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2012 "Për buxhetin e vitit 2013" i cili u miratua me 79 vota pro dhe 42 kundër.
Për 11 orë, nga ora 10:30 e deri në orën 21:40 minuta deputetët e Kuvendit debatuan për rishikimin e buxhetit 2013.
Përveç votave të deputetëve të mazhorancës, kanë qenë dhe dy vota të deputetëve të djathtë, të cilët kanë dalë kundër vendimit të grupit për të votur kundër aktin normativ. Bëhet fjalë për deputetët Mhill Fufi si dhe deputeten Eleina Qirici, të cilët kanë votur pro buxhetit të vitit 2013.
Kryeministri Rama dhe ministrat eqeverisë mbrojtën rishikimin e buxhetit, duke theksuar se borxhi që po merret do të jetë për të kompensuar më shumë shtresat në nevojë që qeveria
e mëparshme i kanë lënë në gjendje të keq.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se, Berisha i zbrazi rezervat e shtetit, gjatë fushatës. dhe la qeverinë e shqiptarëve të zhytur në borxhe. "Rezervat e shtetit në rastet e emergjencave janë bosh dhe paratë për bukën e gojës së paraplegjikëve ushtarëve janë përdorur për të prerë shirita për fushatën elektorale, si dhe janë rimbursuar kompani fantazëm "- tha Rama në fjalën e tij gati 30 minutash për të mbrojtur aktin normativ. Në replikë ish-ministri i Financave, Ridvan Bode theksoi se nga paratë që do merren borxh 100 mln të shkojnë për invalidët, pensionet, ilaçet.
Ministri i Financave Shkëlqim Cani akuzoi opozitën aktuale, në qeverisje para zgjedhjeve të 23 qershorit se ka lënë qëllimisht buxhetin një tokë të djegur. Cani thotë se me aktin normativ po përpiqet për të mbajtur stabël borxhin publik si dhe shkurton në maksimum shpenzimet e ministrive dhe të kryeministrisë.
Nga ana e saj opozita kërkon të tërhiqet akti normativ duke e quajtur të paligjshëm. Ish kryeministri Berisha, deputet i PD-së i cili mori fjalën pas ministrit Cani tha se "Sot vendoset faza e dytë e skenarit të Jorgo Papandreut, i cili futi grekët me shpejtësi më të madhe në grope" dhe i bëri thirrje për të mos e votuar pasi është "skenar ogurzi i zhytjes në recension e krizë të pashmangshme"
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta hapi punimet e seancës parlamentare duke shprehur ngushëllimet për familjet e 5 adoleshentëve të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik të 22 tetorit 2013. Për nder të tyre u mbajt dhe një minutë heshtje.