Nisën punimet për asfaltimin e rrugës Opajë-Bellanoc-Stançiq që të shpie në pikën e kalimit të ri kufitar me Kosovës. Zv/Kryeministri Musa Xhaferi tha në përurim se projekti në fjalë është madhor, me rëndësi strategjike për Likovën dhe më gjerë, pasi arteria do të lidhë Maqedoninë me Kosovën. Ndërkohë Zv/Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Xhelal Bajrami tha se me aktin e sotëm nis edhe realizimi i njërit nga projektet më të mëdha parazgjedhore të BDI-së.
'Për mua ka një rëndësi të veçantë nisja e punëve për ndërtimin e kësaj rruge e cila besoj se do të ndryshojë shumëçka, fillimisht do të bashkojë më shpejt njerëzit të cilët janë të një gjuhe dhe të një gjaku, gjegjësisht banorët e anës së Gjilanit, me të Likovës dhe Kumanovës. Pastaj, do të ketë edhe efekt ekonomik pasi njerëzit për nevoja të ndryshme nuk do të bëjnë gjithë ato kilometra që të sillen nga Shkupi e rreth e rrotull të dalin deri në Gjilan e Kamenicë', tha Musa Xhaferi, Zv/Kryeministër.
'Sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne, pasi nis realizimi i një projekti kapital i cili ka qenë kërkesë e banorëve të kësaj ane. Me këtë projekt, ne si subjekt politik dëshmojmë se kërkesat e qytetarëve për ne janë gjithmonë në rend të parë dhe ne japim maksimumin që kërkesat e tyre të bëhen edhe realitet', deklaroi Xhelal Bajrami, Zv/Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Ndërkohë drejtori i Ndërmarrjes Publike 'Rrugët Shtetërore të Maqedonisë' premtoi se punimet e nisura sot në aksin Opajë-Bellanoc-Stançiq do të përfundojnë brenda 24 muajve.
'Sot nisi ndërtimi i rrugës rajonale Opajë-Bellanoc-Stançiq drejt kufirit me Kosovën, e gjatë 16 kilometra. Kjo rrugë ka për qëllim të lidhë vendbanimet e këtij rajoni dhe asfaltimin e rrugës deri në pikën e kalimit të ri kufitar me Kosovën. Vlera e këtij projekti arrin shumën e 365 milion denarëve', tha Lupço Georgievski, Drejtor i Rrugëve Shtetërore.
Sipas autoriteteve, përveç rrugës Bellanoc-Stançiq, në rajonin e Likovës do të nisin ditëve të ardhshme edhe punimet për ndërtimin e rrugës Llojan-Miratoc, e gjatë 8 kilometra. Valmir Kuçi