Kancelarja Merkel i kërkon llogari Obamës për përgjimet telefonike

2015-08-21 2

GJERMANI - Kancelarja Angela Merkel është përgjuar nga NSA, Agjencia Amerikane për Sigurinë Kombëtare. Zëdhënënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert, ka bërë të ditur, se edhe celulari i Kancelares Angela Merkel, mund të jetë kontrolluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë qëllim, Merkel ka telefonuar Obamën, duke i kërkuar shpjegime në lidhje me këto përgjime. Por nga ana e tij, Presidenti amerikan e përgënjeshtron një gjë të tillë, duke e siguruar Kancelaren gjermane, që telefoni i saj nuk ka qenë nën kontroll. Shpjegimet e kërkuara nga Gjermania vijojnë skandalin e programit të përgjimit amerikan, i përdorur për mbledhjen e informacioneve nga përgjimet telefonike dhe ato dixhitale.

Ditën e mërkurë edhe Kryeministri italian Enrico Letta, gjatë një takimi me Sekretarin e Shtetit amerikan John Kerry, ka kërkuar verifikimin e vërtetësisë të këtyre informacioneve të dala nga mediat, përsa i përket cënimit të privatësisë.

Skandali i përgjimeve nisi pas publikimit të disa informacioneve nga ana e të përditshmes franceze `Le Monde`, ku janë cituar dokumente të ish konsulentit të Agjencisë amerikane Edward Snowden, ku thuhej se janë përgjuar masivisht 70 milionë komunikime telefonike të qytetarëve francezë në një muaj.