A1 Report - Sot në Kuvend buxheti, Berisha la vetëm 12 mijë euro rezerva

2015-08-21 1

TIRANE- Ndryshimet në buxhet, që janë planifikuar me urgjencë nga qeveria Rama, paraqiten sot në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërkohë gjendja e fondit rezervë të buxhetit të shtetit, që ministri Shkëlqim Cani e gjen ende të papërdorur, deri në datë 10 shtator 2013 ishte vetëm 1.8 milionë lekë ose 12.800 euro. Ky është rezultati më i fundit i boshatisjes totale të të gjitha fondeve shtetërore, që u ekzekutua nga Berisha dhe Bode.

Nga fondi rezervë i ekzekutuar deri në shtator 2013, rreth 45 milionë lekë janë përdorur për shpenzime personeli, rreth 1.2 miliard lekë për shpenzime të tjera korente (shpenzime operative, transferta të brendshme dhe transferta të huaja) dhe rreth 102.9 milionë lekë për shpenzime kapitale.

Shifra më e lartë është shpenzuar në favor të zgjedhjeve. 65 milionë lekë ose 4.6 për qind e fondit rezervë të buxhetit të shtetit është përdorur për financimin e fushatës zgjedhore të subjekteve përkatëse për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, konkretisht për partitë politike.

Ndërsa 521 milionë lekë ose 37 për qind e gjithë fondit rezervë të buxhetit të shtetit është përdorur nga qeveria për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për financimin e shpenzimeve për zgjedhjet.

Shpenzimi i dytë më i madh nga rezervat prej 203 milionë lekësh të reja, ose 14.4 për qind e këtij fondi, është berë vetëm për përzgjedhjen e një shoqërie audituese ndërkombëtare për të kryer proçedurat e auditimit të shoqërisë "CEZ shpërndarje". Po kështu, 58 milionë lekë ose 4.1 për qind e fondit rezervë janë dhënë për pagesën e shpenzimeve administrative të arbitrazhit ndërkombëtar për çështjet "Burimi S.R.L.&EAGLE Games" dhe "Mamidol Jetoil Petroleum".