Rimbursimi i TVSH, 8 ish-zyrtarë akuzohen për 515 mln lekë vjedhje

2015-08-21 2

Drejtoria e Tatimeve ka kallëzuar në prokurorinë e Tiranës, 8 ish-drejtues të lartë pasi akuzohen për vjedhjen e 515 milionë lekëve. Gjithashtu në prokurori janë dërguar edhe inspektorë tatimorë në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, për shkelje në procedurat e rimbursimit të TVSH-së.

Në një njoftim të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është bërë e ditur se, "janë pezulluar nga detyra dhe kallëzuar për ndjekje penale në Prokurorinë e Tiranës 8 ish-drejtues dhe inspektorë tatimorë në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë".

Me kërkesë të Drejtorit të Tatimeve, Drejtoria e Auditit të Brendshëm në Ministrinë e Financave ka hetuar procedurat e rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë për periudhën Qershor-Tetor 2013. "Vetëm gjatë ditës së parë janë konstatuar shkelje të rënda në fushën e zbatimit të legjislacionit tatimor për procedurat e rimbursimit të TVSH-së, në 11 raste me pasojë vjedhjen e pasurisë shtetërore në shuma të mëdha, në të cilën janë përfshirë disa persona punonjës të administratës tatimore rajonale të Tiranës", bënë të ditur burime zyrtare nga drejtoria e Tatimeve.