Një 54-vjeçare nga Bulqiza me probleme psiqike i ka vendosur flakën shtëpisë së saj, ndërsa zjarri ka përfshirë edhe një tjetër banesë duke rrezikuar seriozisht jetën e një të moshuare.
Salije Elezi jetonte në një banesë private në lagjen "Minatori", të cilës i ka vënë flakën. Ajo ka ndezur një zjarr brenda ambienteve të shtëpisë, ndërsa zjarri në pak minuta ka përfshirë gjithë banesën.
Flakët nuk kanë kursyer edhe një banesë ngjitur, në të cilën ndodhej një e moshuar, e cila është nxjerrë nga shtëpia nga forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse që mbërriten menjëherë në vendin e ngjarjes.
Forcat zjarrfikëse të ndihmuar dhe nga banorët kanë vënë zjarrin nën kontroll, ndërsa ky i fundit ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Banesa e 54-vjeçares është shkrumbuar plotësisht, ndërsa edhe banesa tjetër ngjitur me të, gjithashtu ka pësuar dëmtime të rënda.