Edhe pas dy ditësh nga shpallja e verdiktit gjyqësor për gazetarin Tomisllav Kezharovski dhe reagimeve të shumta nga institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, qeveria akoma nuk është deklaruar lidhur me këtë rast. Edhe përkundër prezencës së kryeministrit Nikolla Gruevski në disa ngjarje dhe evenimente të organizuara këtyre ditëve, ai nuk e pa të udhës që të prononcohet për rastin në fjalë ngjashëm si edhe partia që ai drejton, VMRO-DPMNE. Sa i përket politikës, për rastin Kezharovski përveç reagimeve nga opozita maqedonase, nuk ka pasur reagime nga subjektet tjera politike. Nga të gjitha institucionet relevante në vend ka reaguar vetëm Gjykata Themelore Shkupi 1edhe atë në formë kundërpërgjigje për gjithë kritikat e shumta që erdhën nga institucionet dhe organizatat e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me lirinë e medias, duke i quajtur ato si të pabaza. Nga institucionet e huaja ka reaguar BE, OSBE, Federata Evropiane e Gazetarëve ndërsa nuk kanë munguar edhe reagimet e organizatave të ndryshme vendore si Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikata e gazetarëve, Instituti Maqedonas i mediave dhe Komiteti i Helsinkit. Në të gjitha reagimet, gjykimi i gazetarit Kezharovski vlerësohet si skandaloz dhe precedentë për shkak se gazetarit Kezharovski i shqiptohet dënimi më i lartë deri tani në Ballkan. Gjyltene Rexhallari