Tiranë, Prokuroria kërkon burg për jetë për Aldo Hoxhën

2015-08-21 1

TIRANE- Prokuroria kërkon burg për jetë për Aldo Hoxhën, të pandehurin i cili akuzohet për vrasjen e Fatbardha Tafës në tentativën për ti grabitur varësen më 7 gusht 2012. Pretenca u lexua sot në seancën gjyqësore që u mbajt në Gjykatën e Tiranës.

Prokurori tha se ka prova që vërtetojnë fajësinë e tij dhe kërkoi burgim të përjetshëm për Aldo Hoxhën.

Ai renditi të gjtiha faktet ndaj Aldo Hoxhës duke rindërtuar ngjaren e 7 gushtit të një viti më parë ku Fatbardha Tafa humbi jeten ndërsa motra e saj Lumturie Gjana u plagos.

"Akuza për Aldo Hoxhën e vërtetuar tërësisht"- tha prokurori Endrit Bimi.
Një nga provat kryesore sipas prokurorisë është dhe fija e flokut që është gjetur në kapelen të cilën fëmijët e viktimës e kanë dorëzuar në polici pas krimit.

Pretenca e prokurorit u prit me indinjat dhe lot nga familjarët e Hoxhës të pranishëm në sallë ku i pranishëm ishte dhe vetë Aldo Hoxha.

Pas leximit të pretencës avokati Saimir Visha ka kërkuar kohë për të përgatitur pretendimet. Kryetari i trupit gjykues, Albert Meçe shty seancën për më datën 6 nëntor.

Dy motrat, Fatbardha Tafa, 38 vjeçe dhe Lumturie Gjana kishin dalë për të bërë xhiron e mbrëmjes në shëtitoren pranë ish- fushës së Aviacionit kur janë bërë pre e grabitjes nga dy të rinj të cilët lëviznin me motorçikletë. Katër ditë pas vrasjes Aldo Hoxha u arrestua. 20 vjeçari nuk e pranon vrasjen.