Gjykata kritikon gazetarët dhe OSBE-në!

2015-08-21 0

Dënimi i Kezharovskit nuk duhet të shihet si tentim për të frikësuar gazetarët, por ata duhet të brengosen për nivelin e mos edukimit të disa prej tyre. Kështu thotë Gjykata Themelore Shkupi 1 duke iu përgjigjur kritikave të shumta nga institucione dhe organizata botërore që kanë të bëjnë me lirinë e medias. Madje, Gjykata ka marrë rolin e këshilltarit juridik, duke këshilluar gazetarët që të mësojnë rregullat ligjore.

"I pyesim gazetarët dhe të gjithë ato që drejtuan kritika të ashpra ndaj vendimit të gjykatës, vallë interesi publik për zbulimin e dëshmitarit të mbrojtur dhe me këtë prishja e procesit gjyqësor, paraqet interes më të madh publik sesa interesi publik për zbardhjen e një akti kriminale të veprës penale vrasje, cila është masa e ndërgjegjes dhe etikës së gazetarëve për reagimet e ashpra ndaj gjykatës me të cilën shprehja e lirë e tillë është vënë në funksion të interesit të përgjithshëm dhe kush ia ka dhënë gazetarit të drejtën pas vlerësimit subjektiv ta mbrojë interesin e përgjithshëm për diçka për të cilën organet shtetërore që e mbrojnë interesin e përgjithshëm dhe i zbatojnë ligjet, kanë zhvilluar procedurë", thuhet në reagimin e Gjykatës Themelore.

Madje Gjykata ka kërkuar llogari edhe nga OSBE-ja, duke vlerësuar se kritikat e OSBE-së ndaj gjykatës dhe pushtetit në Shkup janë të pabaza.

"Për gjykatën në veçanti mbetet i paqartë reagimi i OSBE-së se dënimi shumë i madh ndaj Kezharovskit është gjë brengosëse që dërgon porosi të qartë për censurë të gazetarëve tjerë, por mbetet e paqartë si, për çfarë arsye dhe në çka bën censurë gjykata gjatë zbatimit të ligjit në një shtet demokratik", thuhet në reagimin e Gjykatës.

Kumtesa e Gjykatës vjen pas një sërë kritikash nga organizata të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare kundër dënimit me 4 vjet e 6 muaj burg për gazetarin Tomisllav Kezharovski. Benjamin Arifi

Free Traffic Exchange