Lista Zgjedhore në Maqedoni do ti nënshtrohet revizionit të OSBE-së. Për këtë gjë është angazhuar edhe eksperti ndërkombëtar John Aron. Ai paralajmëroi se do të përpunojë një metodologji për revizion të Listës Zgjedhore, ndërsa paralajmëroi takime me përfaqësuesit e partive politike, KSHZ-së, MPB-së dhe institucioneve tjera.
'Një nga ankesat që sistematikisht e parashtrojnë partitë politike por edhe vetë qytetarët pas zgjedhjeve është se listat zgjedhore në mënyrë jo të saktë pasqyrojnë popullsinë, gjegjësisht votuesit. Nëse veç ekziston një dyshim se diçka nuk është në rregull me listën zgjedhore rekomandohet, por është dhe ide e mirë që të bëhet kontroll i listës zgjedhore me qëllim që të konfirmohet se vallë ky dyshim ka bazë ose në të kundërtën se lista zgjedhore është mirë e pastruar. Këtë ne e quajmë revizion të listës zgjedhore përmes së cilës krahasohet lista zgjedhore me trupin votues', tha John Aron, ekspert i kontrollimit të listave zgjedhore.
Ndërkohë edhe sot ka vazhduar përplasja mes përfaqësuesve të partive politike në këtë grup. Sipas përfaqësuesve të LSDM-së Lista Zgjedhore nuk pasqyron realitetin dhe nuk është e saktë pasi vetë fakti se në 2 milion banorë që ka Maqedonia, mbi 1.8 milion kanë të drejt vote, tregon qartë se Lista Zgjedhore është e manipuluar. Ndërkohë anëtari i VMRO-DPMNE-së, Ilija Ilkovski thotë se lista aktuale zgjedhore ka kaluar të gjitha filtrat dhe KSHZ është e gatshme për zgjedhjet e ardhshme.
'Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vend i cili absolutisht nuk është i saktë, në Maqedoni nga rreth 2 milion banorë kemi 1 milion e 779 mijë e 605 votues dhe ky fakt flet mjaftueshëm se sa është e saktë lista zgjedhore', u shpreh Damjan Mançevski, anëtar i LSDM-së në KSHZ.
'Ne duhet të kuptojmë se lista zgjedhore nuk është ndonjë gjë që nuk mund të ndryshojë ose të ndryshohet në periudha të ndryshme. Lista Zgjedhore është një gjë që sistematikisht pëson ndryshime, siç edhe thuhet 'Up To Date' obligim që pëson ndryshime pothuajse çdo ditë', tha Ilija Ilovski, anëtar i VMRO-DPMNE-së në KSHZ.
Numri i votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore deri më datë 17 tetor të këtij viti është 1 milion e 779 mijë e 605 dhe ky numër është rezultat i azhurnimit të dytë vjetor. Kryetari i grupit të punës për pastrimin e listës zgjedhore, Bedredin Ibrahimi paralajmëroi se në disa njësi zgjedhore është rritur numri i votuesve. Sipas tij në njësinë zgjedhore numër 6 është tejkaluar cenzusi prej 5 për qind pasi prej 279 mijë e 258 votues tani më janë regjistruar 317 mijë e 656 votues dhe me këtë rast, sipas Ibrahimit, Ministria e Drejtësisë duhet të bëjë ridefinimin e njësive zgjedhore. Valmir Kuçi