Opozita: Gjykimi i Kezharovskit, vendimi më skandaloz në Ballkan

2015-08-21 2

Vendim skandaloz i ndikuar nga politika. Kështu e kanë vlerësuar sot partitë politike opozitare maqedonase gjykimin me 4 vite e gjysmë burg gazetarit Tomisllav Kezharovski. Nga LSDM-ja theksuan se jo rastësisht gjyqësori është në shënjestër të kritikave të të gjitha organizatave ndërkombëtare kurse PRSD-ja në shenjë proteste kërkoi pauzë njëorëshe gjatë punës së kuvendit.

"Shqiptimi i dënimit në kohëzgjatje prej 4.5 vjet burg për Tomisllav Kezharovskin është skandaloz. Ky është edhe një vërtetim se pse vlerësimet për Maqedoninë nga organizatat më relevante ndërkombëtare flasin për një drejtësi selektive dhe përkeqësimin e lirisë së mediave dhe të drejtave të njeriut", deklaroi Vesna Bendevska, LSDM.

"Sot jemi dëshmitarë të një vendimi në regji të Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, ndaj gazetarit Tomisllav Kezharovski. Në emër të grupit parlamentare të PRSD-së, në emër të gazetarëve, në emër të qytetarëve të RM-së, në shenjë proteste ndaj një vendimi të këtillë skandaloz të sjellë nën presion të VMRO-DPMNE-së kërkoj një orë pauzë", theksoi Goran Misovski, PRSD.

Lidhur me këtë reagoi kryetari i grupit parlamentarë të VMRO-DPMNE-së duke kërkuar që të mos përzihet pushteti gjyqësor dhe ai ligjvënës dhe të mos-keqpërdoret foltorja e kuvendit.

"Të mos keqpërdoret foltorja e kuvendit për tu penguar puna e kuvendit, me një të vetmin qëllim, të përzihet pushteti ligjvënës me pushtetin e pavarur të gjyqësorit dhe vendimet të cilat i sjell ai", u shpreh Silvana Boneva, VMRO-DPMNE.
Reagime erdhën edhe nga OSBE-ja dhe shoqata e gazetarëve të Maqedonisë.

"Unë jam e tmerruar nga aktgjykimi i sotshëm. Ky dënim është shqetësues dhe përçon mesazhin e censurës për gazetarët e tjerë në vend. Aktgjykimi do të ketë pasoja të mëdha për pavarësinë dhe lirinë e shprehjes së mediave. Përndjekja penale e reporterëve për shkak të aktiviteteve të tyre gazetareske shkel të drejtën themelore të njeriut për shprehje të lirë dhe obligimet e vendit ndaj OSBE-së për zhvillimin dhe mbrojtjen e lirisë së mediave", thotë Mijatoviq.

"SHGM vlerëson se ky vendim nuk ka dënuar vetëm gazetarin Kezharovski, por njëkohësisht është edhe kundër lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias. Kjo bën që Maqedonia të jetë vendi i vetëm në Evropën Juglindore, ku gazetarët dënohen për artikujt e tyre për keqpërdorimin e institutit të dëshmitarit të mbrojtur. Gjykata në vend që të mbrojë interesin publik, u vu në anën e keqpërdorimit", deklaroi Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

Lidhur me rastin e Kezharovskit ka reaguar Sindikata e gazetarëve, Instituti Maqedonas i mediave dhe Komiteti i Helsinkit. Ky i fundit rastin Kezharovski e cilëson precedentë, për shkak se gazetarit Kezharovski i shqiptohet dënimi më i lartë deri tani në Ballkan. Bedri Rexhallari