Agjencia amerikane për sigurinë kombëtare NSA, ka përgjuar masivisht 70 milionë komunikacione telefonike të qytetarëve francezë në një muaj. Pas publikimit të këtij lajmi nga gazeta franceze `Le Monde`, e cila ka cituar dokumente të ish konsulentit të Agjencisë amerikane Edëard Snowden, kanë reaguar edhe autoritetet franceze.
Ministri i jashtëm francez Laurent Fabius, i impenjuar në një mbledhje të Bashkimit Europian, në Luksemburg, paraditen e të hënës ka kontaktuar menjëherë me ambasadorin amerikan në Paris, Charles Rivkin, për të biseduar rreth këtij fakti. Gjithashtu edhe ministri i brendshëm Manuel Valls, ka reaguar, duke u shprehur se është i shokuar nga kjo ngjarje dhe se autoritetet franceze, në orët në vazhdim, do të kërkojnë shpjegime tek autoritetet amerikane.