KAMEZ- "A1 Report" ka sjellë pamjet ekskluzive të momenteve të para të përmbytjes në zonën e Kamzës buzë lumit të Tiranës në lagjen e njohur si "Treshi".
Në orët e para të mëngjesit të tre ditëve më parë banorët janë përballur me furinë e përmbytjes e për të shpëtuar veten janë ngjitur mbi tarracat e shtëpive.
Uji ka marrë para gjithçka në orendi shtëpiake, ku lartësia ka kaluar 1 metër e gjysmë.
Rreziku ka qenë i madh për të gjitha familjet, pasi edhe fëmijët e vegjël janë kërcënuar nga situata e përmbytjes.
Më të vështirë e kanë pasur disa prej banorëve, të cilët s'kanë mundur të largohen më parë, por kanë mbetur mbi bordurat e mureve rrethuese e një prej tyre dhe mbi një portë.
Një nga banorët e zonës ka mbetur mbi një portë ngjyrë blu për afro 2 orë, derisa ka rënë intensitetiti i përmbytjes.
Banorët tre ditë pas përmbytjeve apelojnë për ndihmë, pasi sipas tyre uji i ka marrë gjithçka në pak minuta dhe ende askush nga institucionet shtetërore s'u ka shkuar të përllogarisë dëmin.