ROME- Pas rasteve të çuditshme të shqiptarëve që janë evidentuar si militantë aktivë të Agimit te Arte në Greqi, një rast i ngjashëm vjen nga Italia.
"La Repubblica" shkruan për një prej ultrave kryesorë të Varese, që i përket grupit ekstremist "Blood and Honour" të neonazistëve. Quhet Landi Gjoni, është një shqiptar nga Talja e Lezhës që jeton prej 20 vitesh në Itali, I dënuar më parë për drogë dhe prostitucion.
Gjoni, përveç se pjesëtar i flakte i tifozerisë ekstreme të futbollit, është edhe lideri i padiskutueshëm i grupit tjetër nazist, Gli Arditi, që mbështet skuadrën e basketbollit të qytetit në veri të Italisë.
Gazeta italiane publikon fotot e tij të profilit në Facebook, me tatuazhe naziste, armë, i gjakosur mes karabinierëve, duke bërë përshëndetjen fashiste para bustit të Duçes e kështu me rradhë. Landi Gjoni madje, deri dy vjet më parë ka qenë pjesë e grupit të sigurisë të ish presidentit të Interit, Moratti. Gazeta italiane "La Repubblica", për të theksuar absurdin që një imigrant është pjesë e një grupi ekstremistësh që janë verbërisht kundër imigrantëve, kujton rastin e vitit 2005 kur dy shqiptarë vranë një anëtar të ultrave në Varese dhe grupi i neonazistëve nisi një gjueti shqiptarësh nëpër rrugët e qytetit duke rrahur imigrantë shqiptare me dokumente të rregullta.