Dorëheqja e kryetarit të Komisionit shtetëror zgjedhor, Boris Kondarko nuk do të cenojë mbarëvajtjen e punës së këtij organi. Nënkryetari i KSHZ-së Subhi Jakupi, garanton se Komisioni ka kapacitet dhe kuorum për të përmbushur detyrat e tij në bazë të ligjit duke shuar frikën që përfshiu dy partitë kryesore dhe opinionin publik për bllokim të situatës në një kohë kur në skenën politike u aktualizuan zërat për zgjedhje të mundshme të parakohshme.
"Komisioni shtetëror zgjedhor ka kapacitet dhe kuorum për punën e mëtejshme prandaj dhe nuk do të ketë pengesa në zhvillimin e punës së mëtejshëm të KSHZ-së derisa të konstatohet çështja e dorëheqjes dhe të zgjidhet kryetari i ri. KSHZ-ja do të vazhdojë punën me kompetencat që ka për sa i përket zbatimit të kompetencave të saj. Edhe unë si nënkryetar i KSHZ-së në bazë të nenit 26 të Kodit zgjedhor kam të drejtë të udhëheq derisa të zgjidhet kryetari i ri", tha Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së .
Për profesorin Zdravko Savevski, edhe pse koha deri në zgjedhjet e ardhshme Presidenciale është e mjaftueshme për emërimin e kryetarit të ri, ai nuk përjashton mundësinë e ngecjes së procesit si pasojë e përplasjeve politike. Megjithatë sipas Savevskit, opsioni më mirë dhe pa pasoja për vendin do të ishin që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të organizohen së bashku me ato presidenciale në pranverë, ndërsa deri atëherë do zgjidhej dhe kryetari i ri i KSHZ-së.
"Në kushte normale koha deri në organizimin e zgjedhjeve të rregullta Presidenciale është e mjaftueshme që të mos ndodhin reperkusione por në Maqedoni për fat të keq punët normale shpesh mund të zgjasin. Nëse dorëheqja është dhënë për arsye personale periudha prej 6 muajsh është e mjafueshme që Parlamenti dhe KSHZ-ja të zgjedhin kryetarin e ri dhe të fillojë të punojë....por edhe nëse nuk është dhënë dorëheqja për arsye personale, Kryeministri Gruevski duhet të veprojë në të mirë të Maqedonisë. Të mos harxhohen para të panevojshme në zgjedhje për dy afate dhe të organizojë zgjedhje të parakohshme në afatin e rregullt bashkë me ato Presidenciale", u shpreh Zdravko Savevski, analist.
Nga LSDM-ja sot shprehën gatishmërinë që me shpalljen e konkursit të ri, të bëjnë propozimin e tyre për kryetar të ri. Në bazë të rregullativës, Parlamenti në mbledhjen e tij të parë duhet të konstatojë dorëheqjen e Kondarkos dhe më pas në një mbledhje të dytë të radhës t'i jap dritën e gjelbër propozimit për konkurs publik për kryetarin e ri të KSHZ-së. Në konkursin 8 ditor duhet të paraqiten juristë me përvojë pune mbi 8 vjet. Më pas Komisioni për emërime dhe shkarkime të funksionarëve publikë konstaton kandidatët dhe njofton partinë më të madhe opozitare. Në këtë rast, LSDM-ja duhet të zgjedh kandidatin adekuat nga lista e fituesve të konkursit për t'ia paraqitur atë parlamentit. E gjithë kjo procedurë nëse shkon sipas dinamikës së parashikuar me ligj mund të marrë jo më shumë se 25 ditë kohë. Semra Jakupi