Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti i cilëson reale vlerësimet mbi gjendjen e drejtësisë në raportin e KE-së. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka harmonizuar pjesën më të madhe të ligjeve që kërkon BE-ja dhe garanton se ato zbatohen edhe në praktikë. Për sa i përket kritikave të Brukselit mbi pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit, Bexheti thotë se këtu kemi të bëjmë më shumë me një perceptim i cili nxitet nga faktorë të brendshëm. Megjithatë sipas ekspertit juridik Osman Kadriu, problemi i gjyqësorit i cili çdo vit nënvizohet në raportin e progresit buron nga mungesa e vullnetit për të zbatuar ligjet në praktikë por edhe për shkak të ndërhyrjes të institucioneve dhe politikës ditore në punën e gjykatave. Madje sipas Kadriut, paaftësia e gjyqësorit për të luftuar krimin dhe korrupsionin ka vendosur në pikëpyetje funksionimin normal të shtetit.
"Është e vërtetë se ka konstatime të tilla por mendoj se në masë të madhe ndikojnë edhe shumë faktorë të brendshëm që të krijohet një perceptim i tillë..që ditën e parë që udhëheq këtë dikaster, kam thënë se ky është mandati i zbatimit të ligjeve dhe për këtë punohet në mënyrë intensive..Për sa iu përket debateve për ndikime në gjyqësor, mendoj se kontribuojmë pa nevojë dhe pa dashje dhe mund të japim kontribut në një aspekt tjetër pozitiv. Në procese gjyqësore çdo herë ka dy palë dhe njëra palë do të jetë e pakënaqur, dhe kjo nuk duhet të jetë shkak që ne të krijojmë një perceptim se me ndikime të ndryshme është arritur deri te ky vendim. Ligjet janë para nesh, janë në fuqi dhe ato zbatohen dhe ne të gjithë duhet të referohemi në bazë të ligjit, Kushtetutës dhe Akteve ndërkombëtare", deklaroi Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.
"Edhe ajo rrregullativë pozitive e cila është tash, ajo premton një garancion të theksuar se pushteti gjyqësor duhet të jetë i pavarur por ajo rregullativë mjerisht akoma nuk zbatohet! Ajo nuk zbatohet dhe nuk respektohet nga pushtetet e tjera kur ato përzihen në pushtetin gjyqësor, ajo që quhet politikë ditore kur përzihet për çështje konkrete, sikurse kush të burgoset, kush të mos burgoset, kujt t'i iniciohet procedura për vepra penale etj, kjo duhet të eliminohet.. Ne në Maqedoni kemi një korrupsion që është në një përjetësim brengosës. Ai përpjesëtim dhe ai nivel i korrupsionit që zhvillohet në Maqedoni ka sjellë në pikëpyetje edhe funksionimin e vetë shtetit", tha Osman Kadriu, ekspert juridik. Semra Jakupi