Qyteti i Shkupit, refuzohet kërkesa e PDSH-së për dygjuhësinë

2015-08-21 3

Qyteti i Shkupit hodhi poshtë kërkesën e PDSH-së për dygjuhësinë, e cila parashikonte shkarkimin e drejtorit të Ndërmarrjes së Transportit Publik Misho Nikollov si dhe gjobitjen e tij. Këshilltari i PDSH-së Idriz Orana thotë se nuk e habit vota kundër e këshilltarëve të VMRO DPMNE-së, por abstenimi i këshilltarëve shqiptarë të BDI-së.

"Ne jemi thellë të revoltuar me mënyrën, ofendimin, nënçmimin, degradimin dhe të gjitha ato punë të fëlliqura të cilat bëhen nga koalicioni BDI-VMRO DPMNE. Ata të cilët thonë se ne bëjmë marketing politik nuk është e vërtet pasi PDSH-ja ka qenë dhe do të jetë saç për të gjithë ata që shkelin mbi gjuhën shqipe dhe identitetin shqiptar. Ne do të ndjekim çdo hap të cilin dikush do të dëshirojë të degradojë por për interesa personale do të heshtë, por ne nuk do të heshtim pasi neve nuk na duhen tenderët", u shpreh Idriz Orana, këshilltar i PDSH-së në Qytetin e Shkupit.

Këshilltari i BDI-së në Qytetin e Shkupit, Qemal Musliu thotë se propozimi i PDSH-së ishte skenar, për pikë politike ditore, pasi që në fillim, gara ishte e humbur nga mbivotimi etnik.

"Ky ishte një trik i grupit të këshilltarëve të PDSH-së pasi dihej që VMRO DPMNE-ja ka 23 vota dhe nuk mund të kalojë ky propozim i PDSH-së. ....Në aspektin juridik këshilli i qytetit të Shkupit nuk mund të obligojë kryetarin e qytetit mirëpo ne si grup i këshilltarëve të BDI-së, bashkë me kryetarin e qytetit të Shkupit do të kërkojmë që të avancohet gjuha shqipe jo vetëm në NTP por edhe në ndërmarrjet tjera deri sa të respektohet 100 për qind ligji për përdorimin e gjuhës shqipe", tha Qemal Musliu, këshilltar i BDI-së në Qytetin e Shkupit.

Mbledhjen e sotme të këshillit të Qytetit të Shkupit e braktisën këshilltarët e LSDM-së të cilët u solidarizuan me kolegun e tyre nga Komuna Qendër Mirosllav Shipoviq. Por këshilltarët e VMRO DPMNE-së thanë se akti i kolegëve të opozitës është i gabuar dhe se ata janë fajtorë për vërejtjet sistematike që merr Maqedonia në raportet e Komisionit Evropian. Valmir Kuçi