A1 Report - Bregu i Lumit, Basha: I kërkoj qeverisë të shpallë emergjencën

2015-08-21 0

TIRANË - Kryebashkiaku Basha ka kërkuar sot nga qeveria, të shpallë menjëherë emergjencën në zonën e përmbytur nga dalja nga shtrati e lumit të Tiranës. Zoti Basha ishte sërish sot pranë banorëve në këto zona, të cilët po ndihmohen në pastrimin e banesave të tyre nga afro 400 punonjës të Bashkisë së Tiranës. 8 grupet e vlerësimit të ngritura nga Bashkia e Tiranës ka nisur verifikimin e dëmeve. Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se nga të dhënat e para, 1000 familje të qytetit të Tiranës janë në gjendje emergjente.

"Janë prekur drejtpërdrejt 694 banesa, afro 1000 familje dhe mbi 50 biznese. 1000 familje të qytetit të Tiranës janë në gjendje emergjente. Furia e shtratit të lumit ka shkatërruar porta, ka marrë përpara automjete, ka përmbytur të gjithë orenditë e tyre shtëpiake, elektro-shtëpiake, librat e nxënësve. Është një situatë jashtëzakonisht e rëndë, është pa dyshim një situatë emergjente", ka thënë kryebashkiaku Basha.

Sipas tij, Bashkia e Tiranës ka dislokuar sot 400 punonjës në të gjithë territorin, të cilin e kemi ndarë në 5 zona. Në secilën prej zonave, punonjësit e Bashkisë së Tiranës po punojnë për të pastruar llumin nga shtëpitë dhe oborret e banorëve dhe për t'i ndihmuar të vënë sadopak rend brenda shtëpive të tyre".