Analistët për Raportin: Maqedonia në vendnumëro

2015-08-21 1

Maqedonia nuk ka bërë asnjë hap para sa i përket euro-integrimeve dhe kjo u dëshmua edhe njëherë në raportin e fundit të Komisionit Evropian. Kështu u shpreh ish Ministri i Jashtëm, Denko Malevski. Sipas tij ky raport është pozitiv pasi në të vazhdon të mbetet rekomandimi i BE-së që Maqedonia të nisë negociatat, por në fakt ai përsëritë edhe vërejtjet e njëjta të cilat i janë dhënë Maqedonisë edhe më parë. Ndërkohë edhe profesori Bekim Kadriu thotë se raporti i KE-së në pjesë të madhe është përsëritje e raporteve të viteve të kaluara.

'Duke e shikuar konferencën për shtyp të Komesionarit për Zgjerim, Shtefan Fyle vërejta se prapa tij qëndronte emri i shtetit tonë, ai emër me të cilin ne njihemi në BE, ishte vizatuar një rreth dhe në mesin e tij shkruante 'Si të dalim nga rrethi magjik' dhe kjo është pikërisht dilema më e madhe dhe jo raporti pasi është fakt se edhe Fyle pranoi që edhe ky raport i KE-së i cili është pozitiv për Maqedoninë në kuptimin se shtetit i rekomandohet që të nisë me negociatat, nuk zgjidh problemin e madh që kemi me fqinjin tonë jugor dhe nuk na mundëson që të dalim nga ky rreth i magjepsur', tha Denko Maleski, ish Ministër i Jashtëm.

'Duket qartë se ne po stagnojmë dhe po qëndrojmë në një vend d.m.th kriteret politike dhe respektimi i tyre në Maqedoni është shumë problematik dhe unë them se janë ato disa sëmundje kronike në Maqedoni, konstante, të përhershme që na tanojnë neve dhe janë shumë problematike sidomos sundimi i ligjit dhe çështja e pavarësisë së gjyqësorit, çështja e reformave në administratë etj. 5 vite kemi raport pozitiv, në anën tjetër nuk kemi fillim të negociatave dhe vetë raporti tani e humb edhe kredibilitetin e vet që mund ta ketë eventualisht pasi e përsëritë të njëjtën gjë, vërejtjet e njëjta dhe situata nuk ndërron, ende jemi në status-quo, që definitivisht nuk shkon në favor të askujtë', u shpreh Bekim Kadriu, profesor universitar.

Maleski dhe Kadriu thonë se raporti i KE-së i publikuar dje lë të kuptohet se BE-ja po kërkon haptazi nga politika në vend që të tejkalojë problemin me emrin.

'Shihet qartë se BE-ja po kërkon nga ne që të gjejmë një kompromis me Greqinë dhe me këtë zgjidhjen e çështjes së emrit, por megjithatë partia në pushtet, e ata janë nacionalistët maqedonas kanë një problem të madh me këtë. Mendimi im është se neve na nevojitet një politik e re e jashtme, këtë mund ta bëjë edhe vetë partia në pushtet, kurse politikën e jashtme ta formulojë si rezultat i qëndrimeve, opinioneve të të gjithë faktorëve relevant në Maqedoni', deklaroi Denko Maleski, ish Ministër i Jashtëm.

'Do na duhet punë të bëjmë, vullnet që plotësojmë kriteret politike, të tregojmë vullnet serioz se duam të zgjidhim kontestin me Greqinë, të vazhdojnë negociatat, të tregojmë vullnet serioz se duam të bëjmë reforma në gjyqësi, selektimi i gjyqtarëve, puna e tyre, shkarkimi i tyre, seleksionimi i stafit në administratë, d.m.th duhet të tregojmë vullnet politikë dhe punë', tha Bekim Kadriu, profesor universitar.
...