A1 Report - Policët spiunë, kodi dekonspirues i operacionit: Ti je i zgjuar... ik!

2015-08-21 3

TIRANE- Dy shefa të antikrimit ekonomik të policisë së Tiranës dhe Korçës janë pezulluar për rrjedhje të informacionit si edhe 3 inspektorë, me akuzën se kanë lajmëruar subjekte të ndryshme për operacionin. Njëkohësisht për oficerët e pezulluar mësohet se ka nisur procedim disiplinor dhe penal.

Dekonspirimi gjatë operacionit "Fund Marrëzisë" për bllokimin e lokaleve të lojërave të fatit dhe basteve sportive që kryejnë evazion fiskal apo kanë shkelje të rregullave të vendndodhjes dhe funksionimit të tyre, ka sjellë pezullimin e dy shefave të antikrimit ekonomik dhe tre inspektorëve të tjerë të policisë, të cilët pritet të dërgohen për ndjekje penale. Burimet nga Ministria e Brendshme bënë të ditur se të pezulluarit janë shefa të antikrimit ekonomik në Tiranë dhe Korçë, pasi siç deklarohej që një ditë më parë, ata dyshohet se kanë lajmëruar subjekte të ndryshme për operacionin.

Nga ana tjetër, nga verifikimi i kryer për subjektet e bllokuara janë dërguar për ndjekje penale 17 subjekte private. Ministria e Brendshme deklaroi zyrtarisht se krahas goditjes së aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe pikave të basteve, gjatë operacionit "Fund marrëzisë", paralelisht ka nisur edhe verifikimi i aktivitetit të drejtuesve të policisë në bazë në përmbushje të detyrave ligjore për realizimin e planit të masave të hartuar për këtë operacion.

"Nisur nga konstatimet e bëra për një numër shkeljesh ligjore gjatë operacionit, me urdhër të ministrit Saimir Tahiri, SHKB ka nisur hetimet në të gjithë sektorët e luftës kundër krimit ekonomik, të cilët me mosveprimet e tyre në përmbushje të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme, u kanë krijuar mundësinë subjekteve të ndryshme të fshehin aktivitetin e tyre të paligjshëm", deklaroi zyrtarisht këshilltari i ministrit, Florion Serjani.

Free Traffic Exchange